Këshilli i Komunës së Tetovës miratoi vendim me të cilin u formuan forcat hapësinore për mbrojtje dhe shpëtim, raporton Portalb.mk.
I pyetur se çfarë konkretisht janë këto forca hapësinore, dronë, helikopterë spo diçka ngjajshëm, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se edhe për atë përkthimi nuk ka qenë i qartë, por se bëhet fjalë për mbrojtjen e territorit të komunës nga fatkeqësitë natyrore.
“Kështu është në ligj, edhe shqip kështu është në ligj, paraqet në njëfarë forme forcat për mbrojtje territoriale, përkthimi për mua ka qenë i palogjikshëm por kështu është përkthimi, nënkupton mbrojtjen territoriale jo vetëm të tokës, të gjithë hapsirës në Komunën e Tetovës, rrëshqitjet e tokës, aspektin e tërmeteve, vërshimeve, në të gjithë aspektet mbrojtja e të gjithë territorit apo hapsirës së Komunës së Tetovë”, tha Kasami.
Ky obligim rrjedh nga neni 34 i Ligjit për mbrojtje dhe shpëtim i cili thotë:
“Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes lokale miraton vendim për formimin e forcave territoriale për mbrojtje dhe shpëtim”.
Në seancë u formua gjithashtu edhe shtabi për mbrojtje dhe shpëtim të Komunën e Tetovës.
Kujtojmë që ditëve të fundit për shkak të reshjeve disa pjesë të qytetit pësuan dëme nga përmbytjet. Para pak ditësh Tetova dhe rrethina gjithashtu u goditën nga një tërmet prej rreth 5.9 shkallësh.