Komandanti i Komandës së Forcave Aleate të NATO-s në Napoli në vizitë në RMV

Një delegacion nga Komanda e Përbashkët e Forcave Aleate të NATO-s në Napoli (Joint Force Command Naples – JFCNP), i kryesuar nga komandanti, admirali George M. Wikoff, nga dje, 9 shtator 2026, qëndron për vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.

Në kuadër të vizitës, admirali Wikoff zhvilloi takime me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, si dhe me nikoqirin e tij, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski.

Nga Qeveria njoftuan se në takime u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në rajon, realizimin e objektivave të kapaciteteve të NATO-s, mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve stërvitore në territorin maqedonas, si dhe avancimin e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të Aleancës.

“Gjithashtu, admirali Wikoff u informua për mundësitë që ofron vendi ynë, si një shtet në rajon që përfaqëson një kryqëzim gjeografik të disa korridoreve të transportit, ndërsa Armata ka një rol të rëndësishëm në realizimin e mobilitetit, shpejtësisë, iniciativës, qëndrueshmërisë dhe thellësisë strategjike të Aleancës”, tha Qeveria.

Nga aty shtuan se në takime u konfirmua gjithashtu edhe rëndësia e një qasjeje të përbashkët dhe të koordinuar në kuadër të Aleancës në përballjen me sfidat bashkëkohore të sigurisë.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut sivjet mbushi plot 6 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)NATO (M)Qeveria e Maqedonisë së Veriut