Federata e Futbollit të Maqedonisë ka vendosur që të anulojë ndeshjet në stadiumin e Çairit, ndërsa KF Shkupi u dërgua në Komisionin Disiplinor, transmeton Portalb.mk.
“Komisioni i Garave pran Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka vendosur të pezullojë stadiumin në Çair, për një kohë të pacaktuar, derisa të merret një vendim përfundimtar nga Komisioni Disiplinor”, njoftoi Federata.
Federata këto vendime i mori për shkak ngjarjeve në ndeshjen e fundit KF Shkupi – Makedonija Gjorçe Petrov, ku vendasit nuk kishin marrë masa për parandalimin e parregullsive në ndeshje.
“Arsyeja për një vendim të tillë janë incidentet serioze në ndeshjen e javës së 7-të në Ligën e Parë, mes FC Shkupit 1927 dhe Makedonija GJ.P., kur një pjesë e grupit të tifozëve vendas ndezën dhe hodhën fishekzjarrë në fushë dhe në zonën ku ndodhej produksioni televiziv i ndeshjes, duke shkaktuar dëme serioze në një pjesë të pajisjeve të Radio Televizionit të Maqedonisë (MRTV), i cili realizonte transmetimin e drejtpërdrejt”, sqaruan nga Federata.
Vendimi i Federatës bazohet edhe në reagimin e Radio Televizionit të Maqedonisë, të cilët kanë dërguar një njoftim për dëmtimin e pajisjeve gjatë transmetimit të kësaj ndeshjeje.
Ndryshe, ndeshja Shkupi – Makedonija Gj.P. është ndeshja e javës së shtatë në Ligën e Parë. Kjo ishte ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin e Çairit, pasi Federata e Futbollit të Maqedonisë paraprakisht kishte vlerësuar se stadiumi nuk i plotësonte ndeshjet.
Kampion i Ligës së Parë në sezonin 2024/25 është shpallur Shkëndija e Tetovës, ndërsa Vardari është fitues i Kupës. Në sezonin 2025/26 në Ligën e Parë do të luajnë Shkëndija, Struga, Shkupi, Bashkimi dhe Arsimi që u kualifikua nga Liga e Dytë për herë të parë.