Këto janë kompanitë më të mira në RMV sipas OEMVP

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) shpalli fituesit e edicionit të 16-të të TOP 100™ 2025, ngjarje e cila këtë vit u kurorëzua me 20-vjetorin e themelimit të Odës. Në ngjarje të pranishëm ishin mbi 400 personalitete, mes tyre kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministra, ambasadorë, drejtues institucionesh, partnerë ndërkombëtarë. Në bazë të metodologjisë së avancuar të OEMVP-së, u shpallën pesë kompanitë më të suksesshme të vitit: Në vend të parë – DAUTI KOMERC, pastaj – POFIX, në Top 3 – NEPTUN, Top 4 – KIPPER dhe TOP 5 – ADRIJUS, transmeton Portalb.mk.

Fituesit e çmimeve për vitin 2024 në disa kategori të rëndësishme për biznesin janë:

– “Gruaja e suksesshme në biznes” – NITA’S FACE CARE

– “Partneriteti më i suksesshëm” – VARUS

– “Top Eksportuesi” – BENTON-NI

– “Top Investime” (4.4 milion €) – ATS GROUP

– “Kompania me rritje më të shpejtë” – MULTIPARK IZAIRI

– “Kompania me investime në transformimin energjetik” – GREEN FIELD

– “Kompania me Përgjegjësi Shoqërore Korporative” – IN HOME SERVICE

Mirënjohja speciale iu nda Lansky, Ganzger, Zeqiri + Partner Skopje për kontributin e tyre në procesin kushtetues kundër Ligjit për Tatimin Solidar, një vendim historik që mundëson kthimin e rreth 49 milionë eurove tek kompanitë vendore.

Ngjarjen e hapi nikoqiri, U.D. Kryetari i OEMVP-së, Nuhi Aliu, i cili theksoi rëndësinë e këtij edicioni duke nënvizuar se 20-vjetori shënon jo vetëm vlerësimin e arritjeve të kompanive, por edhe rrugëtimin e tyre të mbështetur në vizion, vendosmëri dhe përkushtim. Ai gjithashtu potencoi se Oda mbetet institucioni më i besueshëm dhe partneri kryesor që lidh biznesin me institucionet.

Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij theksoi se e ardhmja ndërtohet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes Qeverisë dhe biznesit, duke theksuar se të dy palët duhet të jenë në të njëjtën anë. Ai nënvizoi se Qeveria do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm i sektorit privat dhe se vetë ngjarja e sotme dëshmon se suksesi dhe rritja janë plotësisht të arritshme.

Në këtë 20-vjetor, OEMVP riafirmoi se mbetet institucioni ku biznesi gjen përfaqësim real dhe partneritet afatgjatë, duke dëshmuar që vetëm me rezultate konkrete, transparencë dhe vlerësim për më të mirët tanë, mund të avancojmë ekonominë tonë.

Biznesi në RMVBiznesmen - BiznesNdërmarrje Kompani BiznesOda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP)