Çka premtojnë Bilall Kasami dhe Bajram Rexhepi në programet e tyre për Komunën e Tetovës? 

Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Tetovës garojnë gjashtë kandidatë, por rrethi i dytë pritet të zhvillohet midis kryetarit aktual të komunës, Bilall Kasamit nga VLEN dhe Bajram Rexhepit nga AKI. Në Komunën e Tetovës këto zgjedhje të drejtë vote kanë 87,878 qytetarë. Portalb.mk ka analizuar premtimet e dy kandidatëve nga programet e tyre për problemet kryesore.

Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 19,7% korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito), me 18,3% arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit), me 17,9 infrastruktura (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 16,2% mjedisi (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 15,7% shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave) dhe problemet tjera me 12,2%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Infrastruktura 

Komuna e Tetovës ka probleme infrastrukturore të shumta. Shumë rrugë në qytet dhe fshatra janë të dëmtuara dhe plot gropa. Trafiku është i ngarkuar dhe pa zgjidhje të plotë, nuk ka parkingje të mjaftueshme dhe rregullat e komunikacionit nuk respektohen. Qyteti po ngulfatet nga ndërtesat shumëkatëshe, të cilat shpesh ndërtohen pa parkingje. Që nga viti 2003 qyteti nuk ka plan gjeneral urbanistik, ndërsa mafia urbane dhe ndërtimet pa leje vazhdojnë të lulëzojnë. Problem tjetër mbetet rrjeti i kanalizimeve dhe ujësjellësit, të cilat shpesh pësojnë defekte.

Premtimet në programin 2025/2029 të Bilall Kasamit për insfrastrukturën: 

Park & Ride në 3 lokacione strategjike në hyrjet e qytetit (nga: Shkupi, Gostivari, Jazhinca) me kapacitet total prej 1.800 vendesh, parkime në kate në 8 lokacione, përfshirë: qendrën e qytetit, afër bulevardeve, te gjykata, te tregu, te teleferiku etj. me kapacitet total prej 4.400 vendesh. Parkime sipas planeve rregullative në 49 blloqe me planifikim ekzistues për parkime me kapacitet total prej 1.881 vende. Hapësira potenciale për parkime. 47 lokacione potenciale të identifikuara përmes analizës GIS, si hapësira publike të pashfrytëzuara ose të riorganizueshme, kapacitet total prej 2.855 vende. Vendparkime nga lejet e reja ndërtimore me kapacitet prej 2.300+ vende. Parkime zonale në rrugët njëkahshe: sipas vlerësimeve fillestare, mund të krijohen 1.000–3.000 vende të reja parkimi, shifra që do të precizohen pas hartimit të Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm. Hapësira për biçikleta dhe motoçikleta në çdo parking. Gjelbërim dhe hapësira publike mbi parkimet nëntokesore (p.sh. sheshi mbi garazhin e qendrës, pazari i grave etj., gjelbërim përgjatë parkingjeve zonale). 

Përpilimi dhe miratimi i PGJU 2025–2035. Përpilimi dhe miratimi i paketave të planeve detale urbanistike. Përpilimi dhe miratimi i planeve detale urbanistike në të dy anët e bulevardit Iliria. Plan urbanistik për Kodrën e Diellit. Plan urbanistik për BU 57 (ish-fabrika e Shikellakut). Plan urbanistik për Qendrën Sportive. Projekt për rehabilitimin e qendrës tregtare të qytetit. Përpilim dhe miratim i planeve urbanistike për fshatrat e Komunës së Tetovës. Integrimi i masave për mobilitet të qëndrueshëm, klimë, menaxhim mbetjesh dhe gjelbërim. Procedura efikase për leje ndërtimi. Përfundimi i procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Përfundimi i Bulevardit Ilinden nga Posta deri te rrethrrotullimi te Stadiumi i Qytetit. Përfundimi i Bulevarit Bllagoja Toska nga Shkolla Tekstile deri te rrethrrotullimi me Bulevarin Ilinden. Ndërtimi i Teleferikut Tetovë–Lisec–Kodra e Diellit. Vazhdimi i rrugëve që dalin nga Bulevari VS Bato: Në drejtim të Porojit te pompa e benzinës dhe në drejtim të Qarkores së Treboshit. Ndërtimi i një objekti të ri të Komunës së Tetovës (ish-barakat e inspektoratit komunal). Ndërtimi i rrugës që lidh fshatin Reçicë e Madhe me Autostradën Shkup–Tetovë–Gostivar. Rikonstruktimi i rrugës, rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit atmosferik në fshatin Xhepçisht. Ndërtimi i rrugës që lidh rrugën në dalje të Tetovës për në Bërvenicë (te Universiteti i Tetovës) dhe rrugës për në fshatin Strimnicë (afër kalimit mbi hekurudhë), me të gjithë infrastrukturën përcjellëse. Ndërtimi i Sheshit të Tetovës me parkim nëntokësor. Ndërtimi i nënkalimit për këmbësorë te Shkolla “Kirili dhe Metodi” në Bulevardin VS Bato. Ndërtimi i nënkalimit te Vero, nga hyrja e qytetit prej Shkupit deri te tregu i gjelbër. Vazhdimi i Bulevarit Boris Kidriç nga kryqëzimi me Bulevardin Bllagoja Toska deri te Stacioni i Autobusëve. Vazhdimi i Bulevarit Ilinden nga rrethrrotullimi i UEJL-së deri te mbikalimi i rrugës për Gostivar. Restaurimi i gjithë rrjetit të rrugëve në Komunën e Tetovës. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bajram Rexhepit për infrastrukturën:

Përgatitja dhe miratimi i Planit Gjeneral Urbanistik 2026-20236, ku përmes PGJU-së do të arrihet në plane detale urbanistike. Ndërtimi i qendrës administrative te Kazerma e qytetit. Pezullimi i Planit Urban për PU 31 (Monopolin) me qëllim që në planin e ri të vendooset korridor i gjelbërt që do të lidhë Parkun e gruas me linjën e drunjve të mbetur. Plan Urban i ri për zonën nga ura te AMSM deri në kufijtë e qytetit. Shndërrimi i Shtratit të lumit Shkumbin në korridor të gjelbër me shëtitore, pista biçikletash, terrene sportive dhe hapësira rekreative. 

Qendër institucionale dhe park i qytetit, dislokimi i Kazermës së Tetovës dhe transformimi i saj në park qyteti dhe qendër institucionale moderne, e cila do të përfshijë park funksional dhe qendër institucionale me të gjitha shërbimet publike në një vend, si: Lomuna e Tetovës dhe të gjitha njësitë rajonale të institucioneve qendrore, Gjykata dhe Prokuroria Themelore – Tetovë, Policia, Kadastra, Drejtoria e Librave Amë, etj. 

Ndërtim i parkingjeve në kate në zonën më të ngarkuar të qytetit, në lokacionet: Kazerma e qytetit, me kapacitet 1000 vetura; Policia, Gjykata themelore, Librat amë, Tregu i grave, Komuna e Tetovës, Qendra sportive, secili lokacion me kapacitet për 600 vetura. 

Zgjatja e bulevardit “Blagoja Toska” në të dy drejtimet, duke filluar nga shkolla e mesme tekstile në drejtim të rrethrrotullimit në rrugën “Ilindeni” dhe në drejtim të lagjes Drenovec. Vazhdimi i rrugës industriale në drejtim të fshatit Poroj. Rregullimi i hyrjes në qytet nga drejtimi i Gostivarit, nga rrethrrotullimi pranë UEJL deri te pikëpagesa, përmes një rruge me dy drejtime. Rikonstruimi i plotë irrugës që çon te Kalaja e Tetovës. Zhvillimi dhe rikonstruimi i rrugës së Banjës, Rregullimi i sistemit të ujitjes për bujqësinë. 

Mjedisi 

Tetova përballet me ndotje intensive të mjedisit. Mbeturina dhe deponitë vazhdojnë të gjenden të shpërndara gjithandej. Çdo dimër, qyteti mbushet me smog të dëmshëm, pa masa efikase nga autoritetet dhe duke kryesuar listat botërore për nga ndotja. Lumi Shkumbin mbetet i ndotur, sidomos në pjesën e poshtme të qytetit. Mungesa e hapsirave të gjeëbra dhe parqeve është shqetësuese, Tetova nuk ka park të qytetit. Qentë endacakë vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë e qytetarëve në hapsirat publike. Prerja e drunjve dhe mosmirëmbajtja e hapsirave të gjelbra ekzistuese mbetet problem serioz. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bilall Kasamit për mjedisin: 

Hartimi i Strategjisë për Ambientin Jetësor 2026–2030. Krijimi i sektorit komunal për mjedisin dhe energjinë me dy njësi të specializuara. Rregullimi i shtratit të lumit në Reçicë të Vogël dhe Poroj. Vendosja e sistemit modern të monitorimit të ajrit, ujit dhe tokës (sensorë, inspektime, raporte periodike). Stacione filtrimi për trajtimin e ujërave të zeza. Krijimi i hapësirave të gjelbra sipas Planit Gjeneral Urbanistik. Hartimi dhe publikimi i kadastrës së ndotësve të ajrit (e qasshme për publikun). Përfshirja e OJQ-ve/ekspertëve në monitorim dhe fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi. Raporte mujore publike mbi ndotjen (për qytetarë dhe media). Sanksione të rrepta ndaj ndotësve në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal/organet kompetente. Përmirësim i menaxhimit të mbeturinave: selektim dhe riciklim efikas nga ndërmarrjet publike. Krijimi i kadastrës së gjelbër të komunës. Mbjellja e 5.000 fidanëve në hapësira publike. Rritje e efikasitetit energjetik në objektet publike; përdorim i burimeve të pastra të energjisë. Zhvillimi i infrastrukturës së gjelbër: shtigje të gjelbra, parqe, rrugë biçikletash lidhëse. Subvencione për transport të gjelbër dhe stacione biçikletash në zona strategjike. Subvencione për vendosjen e kondicionerëve inverter. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bajram Rexhepit për mjedisin: 

Krijimi i parkut të Lumit Shkumbin midis bulevardeve “Blagoja Toska” dhe Rrugës Industriale. Krijimi i parkut mbi varrezat ortodokse. Mbjellja e 10,000 drunjve brenda katër viteve. Gjelbërim në oborret e shkollave. Menaxhim efektiv i qenve endacakë duke ulur popullsinë e tyre përmes kapjes së koordinuar dhe kujdesit, si dhe sterilizim, vaksinim dhe zgjerim të kapaciteteve të strehimoreve komunale. 

Shërbimet komunale 

Tetova ende përballet me mungesë dhe restrikcione të ujit të pijshëm, rrjeti i vjetër shpesh pëson defekte, kështu në disa raste duke lënë qytetarët me ditë pa ujë, Grumbullimi i mbeturinave, ndonëse është përmirësuar, ende nuk është në nivelin e dëshiruar. Faturat për mbeturinat, ujin dhe tatimet janë rritur. Ndriçimi publik vazhdon të ketë defekte. Ndërsa Inspektorati Komunal vazhdon të funksionojë dobët. Gjendja financiare e NPK Tetova vazhdon të mbetet problematike. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bilall Kasamit për shërbimet komunale:

Instalimi dhe digjitalizimi i ujëmatësve në gjithë qytetin. Rikonstruimi i rrjetit primar dhe sekondar të ujësjellësit në gjithë qytetin. Rkonstruimi i trasës së Leshnicës dhe kyçja e burimeve të ujësjellësit shtesë. Montimi i sedimentit për trasën e Leshnicës, kolektori i ujërave të zeza bashkë me impiantin e pastrimit të tyre. Kolektori i ujërave atmosferikë te nënkalimi në lagjen Dardania. Kolektori te nënkalimi për fshatin Falisht. Kolektori në lagjen Jashtë Vardarit përmes fabrikës Teteks. Kolektori në Bulevardin VS Bato deri në rrugën e Ratajës dhe kolektori i rrugës 172.

Ndërtimi i një stacioni të ri modern të autobusëve. Transporti falas për të gjithë qytetarët. Blerja e 5 autobusëve elektrikë dhe 5 minibusëve elektrikë. Ndërtimi i nënstacioneve të reja ekologjike, korsi e veçantë për transportin publik dhe për biçikleta në Bulevardet: Ilinden – Qendër Qendër – Ilirija – rrethrrotullimi në Bllagoja Toska Bllagoja Toska – R1203. Rinovimi i infrastrukturës dhe sistemit të grumbullimit të mbeturinave. Impiant për trajtimin e mbeturinave. Edukim dhe angazhim i qytetarëve. Siguria e punonjësve dhe ngritja e kapaciteteve. Caktimi i të paktën dy pikave të reja për grumbullimin e mbetjeve inerte dhe mbetjeve të tjera jokomunale. Zgjerimi i shërbimeve si hap i rëndësishëm drejt një sistemi më gjithëpërfshirës dhe efikas të menaxhimit të mbeturinave. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bajram Rexhepit për shërbimet komunale: 

Ndërmarrje e re publike “Rrugët e Tetovës” e cila do të ketë kompetencë: projektimin, hartimin e planeve detale urbanistike, mbikëqyrjen, realizimin e punëve infrastrukturore (ndërtimin e rrugëve dhe mbushjen e gropave), ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik, në territorin e komunës së Tetovës. 

Ndërprerje e kontratës me kompaninë “Saubermacher”, e cila aktualisht operon në Tetovë përmes një partneriteti publiko-privat. 

Menaxhimi dhe përmbyllja e projektit më të madh IPA me vlerë 33milion euro të ndarë për komunën e Tetovës, për zgjerim dhe rehabilitim të rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujrave të zeza. Modernizim i rrjetit të ujësjellësit, investime në rezervuarë të rinj, në ndërrimin e gypave të dëmtuar dhe në ndërtimin e një sistemi monitorimi digjital që do të sigurojë kontroll të vazhdueshëm të rrjedhës dhe cilësisë së ujit. 

Zgjerim i linjave të transportit publik si dhe krijimi i lidhjeve të rregullta midis fshatrave dhe qytetit.

Arsimi 

Shkollat në këtë komunë përballen me kushte të vështira. Infrastruktura në disa objekte është e dëmtuar. Mungojnë kushte elemetare për mbarëvajtjen e mësimit, higjiena është në nivel të ulët. Shkollat përballen me mungesë të sigurisë. Dhuna, bullizmi dhe sjelljet devijante mbeten alarmante dhe shpesh fshihen nga udhëheqësia e shkollave. Terrenet sportive janë të dëmtuara dhe ka mungesë të sallave të sportit. Mungon stafi profesional në shkolla. Ndërsa emërimet e drejtorëve bëhen në bazë të përkatësisë partiake aëo lidhjeve të ngushta me pushtetin lokal. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bilall Kasamit për arsimin: 

Subvencion me vlerë prej 100 euro për çdo fëmijë që regjistrohet në klasë të parë. Qendër rajonale të Pollogut për mbështetje të procesit gjithëpërfshirës të fëmijëve në shkollat fillore dhe të mesme. Investim në përmirësimin e kushteve të shkollave dhe në modernizimin e infrastrukturës arsimore. Luftë kundër politizimit të arsimit. Monitorimi i cilësisë së arsimit përmes raporteve dhe inspektimeve. Inkluzion i fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe trajnimi i stafit për përkujdesje ndaj tyre. Mbështetje për minoritetet dhe krijimi i kushteve për qasje të barabartë në arsim. Partneritete me sektorin privat për financim të projekteve shkollore. Fuqizimi i prindërve dhe komunitetit përmes forumeve dhe takimeve të rregullta. Trajnimin e 99 nxënësve falas të kategorive ekselentë, të nxënësve me nevoja sociale dhe ekonomike. Laboratorë të pajisur mirë për STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë). Fokus në sigurinë, rehati dhe mjedise të përshtatura për të gjithë. Trajnime dhe punësime për profesionistë mbështetës (psikolog, logoped etj.) 

Në shkollën fillore “Liria” , ndërtim i shkollës së re moderne si dhe sallë sportive. Në shkollën fillore “Bratsvo – Migjeni” objekti i ri shkollor dhe sallë sportive moderne. ë shkollën fillore “Istikball” ndërtim i objektit ndihmës. Në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” ndërtimi i pishinës dhe sallës sportive. Në shkollën fillore “Naim Frashëri” ndërtimi i pishinës dhe sallës sportive. Në shkollën fillore “Besa” ndërtimi i sallës sportive. Në shkollën fillore “Përparimi” ndërtimi i objektit ndihmës. Në shkollën fillore “Rexhep Voka” të fsh. Shipkovicë ndërtimi i objektit ndihmës. Në shkollën fillore “Rilindja” të fsh. Sellcë ndërtimi i objektit të ri shkollor si dhe sallë sportive. Në shkollën fillore “Gj.K. Skënderbeu” në fsh. Xhepçisht ndërtimi i sallës sportive. Në shkollën fillore “Qiqish” ndërtimi i objektit të ri ndihmës. Në shkollën e mesme Gjimnazi “Kirill Pejçinoviq” ndërtimi i pishinës. Në shkollën e mesme “Gjoce Stojçeski” ndërtimi i objektit shkollor me të gjitha kushtet bashkëkohore. Në shkollën e mesme “8 Shtatori” ndërtimi i objektit të ri ndihmës. Në shkollën e mesme “Nikolla Shtejn” rikonstruimi i plotë i fasadës. Në shkollën e mesme Gjimnazi “7 Marsi” ndërtimi i objektit shkollor. Ndërtimi i një objekti të ri për çerdhen “Rinia” në Bllokun Urban 57. Ndërtimi i Qendrës rajonale për resurse. Rikonstruim i plotë i objekteve të çerdhes “Rinia” tek lokacioni i njohur si Teteks, Qendra Sportive dhe Potok. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bajram Rexhepit për arsimin: 

Investime në infrastrukturë të sigurt rreth shkollave, kamera sigurie në hyrje-dalje dhe zona përreth shkollave, qendër monitorimi 24/. Shkollë e re në lagjen Dardania. Salla sporti në shkollat: aim Frashëri”, “Migjeni”, “Istikbal”, “Kirili dhe Metodi”. Çerdhe të reja në Reçicë të Vogël te shkolla e re dhe pranë tereneve sportive të Gjimnazit të Tetovës. Ndërtimi i çerdheve në zonat rurale të komunës. Rinovim çdo vjet i të paktën 2 objekte të çerdheve, 3 shkolla fillore dhe 1 e mesme. Punësime për kuadrot që mungojnë në shkolla si: sociolog, defektolog, psikolog, pedagog, asistent personal dhe shkollor. Programi “Akademia e Mësuesve të Tetovës”. Çmime vjetore komunale për për “Mësuesin e dalluar” në secilin nivel. Hapja e klasave me qëndrim ditor në çdo shkollë. Platforma “Tetova Edu” – e cila do të shërbejë si bibliotekë digjitale dhe qendër burimesh për mësuesit dhe nxënësit. Qendër Inovacioni Edukativ, hapësirë me teknologji të avancuar (3D printerë, robotikë, pajisje shkencore) për projekte praktike, gara shkencore dhe klube pas mësimit 

Korrupsioni, nepotizmi, transparenca, llogaridhënia 

Punësimi i kuadrove partiakë dhe ndarja selektive e tenderëve e mjeteve publike për persona dhe kompani të lidhura me pushtetin lokal vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha në Komunën e Tetovës. Në vend që rekrutimet të bëhen mbi bazën e meritës dhe nevojave reale të institucioneve, shpesh ato përdoren si instrument politik për të shpërblyer militantë apo për të forcuar ndikimin partiak. E njëjta situatë shihet edhe në menaxhimin e buxhetit komunal, ku një pjesë e projekteve dhe tenderëve dyshohen se u jepen bizneseve të afërta me pushtetin, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe meritokracinë. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bilall Kasamit për transparencë dhe llogaridhënie:

Brifingje të rregullta mujore me gazetarët. Takime periodike me Këshillet e Prindërve të shkollave. Një platformë onlajn, ku secili mund të paraqesë ankesa, sugjerime dhe ide. Vendime të publikuara me komente. Konsolidimi i bashkësive lokale dhe urbane si dhe themelimi i Unionit të Bashkësive Lokale. Raporte të punës për periudha 6-mujore. Në uebfaqe dhe aplikacion mobil do të organizohen sondazhe. Digjitalizim i shërbimeve. 

Premtimet në programin 2025/2029 të Bajram Rexhepit për transparencë dhe llogaridhënie: 

Financa publike të qëndrueshme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve. Tetova App/e-Tetova ku shërbimet komunale do të digjitalizohen plotësisht, nga kërkesa, aplikime, dokumente, certifikata dhe komunikimet, të gjitha online, pa nevojë për radhë të gjata apo burokraci të panevojshme. Publikimi i çdo projekti, vendimi apo shpenzimo i komunës. Publikimi i vendimeve të Këshillit Komunal brenda 24 orëve në faqen zyrtare të komunës. Asnjë vendim i fshehur, asnjë marrëveshje nën tavolinë ku qytetarët do të kenë qasje të plotë dhe të drejtë për t’u informuar. 

Probleme tjera 

Komuna e Tetovës, e cila është një nga komunat me borxhin më të madh, përballet edhe me probleme të thella sociale e politike. Diskriminimi gjinor në vendimmarrje mbetet i pranishëm. Po ashtu, qyteti vuan nga mungesa e hapësirave për sport dhe rekreacion, ndërsa rinia, e cila përbën një pjesë të madhe të popullsisë, është pothuajse e papërfaqësuar në strukturat komunale dhe në vendimmarrje. Premtimet elektorale shpesh rezultojnë të parealizueshme, duke ushqyer zhgënjimin e qytetarëve, ndërkohë që borxhi i komunës rëndon mbi funksionimin e saj dhe pamundëson investime të reja. Problem i vazhdueshëm është edhe mungesa e transparencës, sidomos në raste konkrete dhe specifike dhe jo në rastet e informatave të përgjithshme. 

Premtime tjera në programin 2025/2029 të Bilall Kasamit, nga fusha sociale, kultura, sporti dhe siguria: 

Sigurimi i investitorit ndërkombëtar për Qendrën e skijimit Kodra e Diellit. Përmirësimi i infrastukturës turistike. Agroturizmi. Krijimi i një qendre kërkimore-shkencore dhe trajnuese. Ndërtimi i 100 banesave sociale. Ndërtimi i një shtëpie për të moshuarit. Mbështetje e familjeve të reja përmes subvencionimit financiar të lindjes së parë. Ndërtimi i një qendre ditore për fëmijët me nevoja të veçanta. Shërbimi i ri “Asistent Personal” për personat me invaliditet. Mbështetje për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës familjare. Themelimi i manifestimeve të reja kulturore artistike. Ndërtimi i bibliotekës dhe leximores moderne në qytet. Themelimi i qendrës kulturore komunale. Themelimi i një institucioni komunal që do të përkujdeset për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore. Ndërtimi i Sahat Kullës. Restaurimi i objekteve të rëndësisë së veçantë historike. Përfundimi i plotë i Stadiumit të Qytetit. Krijimi i terreneve moderne për atletikë. Vënia në funksion e sallës së vjetër sportive në Qendrën Sportive të Tetovës. Organizimi i garave sportive ndërkombëtare në qytetin tonë. Ndërtimi i parqeve dhe fushave të futbollit në disa lagje të Tetovës. Angazhim për eliminimin e gjuhës së urrejtjes. Ndërtimi i objektit të ri për zjarrfikësit dhe modernizimi i kushteve. Hapja e disa nënstacioneve të zjarrfikësve që do t’i mbulojnë komunat e tjera. Rritje e pagave të zjarrfikësve deri në 50% për 4 vjet. Dyfishim i hidrantëve, sidomos në malësi. 

Premtime tjera në programin 2025/2029 të Bajram Rexhepitt, nga fusha e turizmit, kulturës, sportit, mërgatës, rinisë: 

Investime në Kodrën e Diellit përmes partneritetit me operator ndërkombëtar me përvojë në menaxhimin e qendrave turistike malore. Vendosja në funksion e teleferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit. Ndërtimi i parkingjeve në kate në Kodrën e Diellit. Leje ndërtimi për mbi 20 hotele të reja. Rinovimi i hoteleve ekzistuese. 

Zhvillimi i EkoTurizmit dhe AgroTurizmit nëpërmjet krijimit të fshatit turistik, shtigjeve malore për çiklizëm, dhe promovimit të trashëgimisë natyrore. 

Analizë dhe rinegocim i kontratës për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Stadiumit të Qytetit, në mënyrë që punimet të përfundojnë brenda një afati sa më të shkurtër kohor. 

Ndërtimi i një qendre multifunksionale moderne për sporte të brendshme dhe aktivitete kulturore. Nisma “Tetova Vrapon”, organizimi i një maratone vjetore si eveniment tradicional për qytetin. 

Ndërtimi i amfiteatrit të hapur për shfaqje teatrore, koncerte dhe aktivitete në natyrë. Qendër kulturore rinore. Krijimi i Orkestrës së Qytetit. Rikthimi i Festivalit Tradicional “Sharri Këndon. Stolisja dhe Festimet e Fundvitit. Vera Kulturore TEtovare. Netët Studentore – Aktivizim i Rinisë Universitare. 

Krijimi i akceleratorit për ide dhe startupe, një hapësirë ku të rinjtë me vizion dhe guxim do të marrin mbështetje, mentorim, trajnime profesionale, qasje në fonde dhe rrjete ndërkombëtare për zhvillim të bizneseve inovative. Co-Working Space – hapësirë e përbashkët pune, e hapur për të gjithë të rinjtë, profesionistët e pavarur dhe krijuesit lokalë.

Hapja e zyrës për BE në Tetovë me një ekip ekspertësh që do të punojnë për një komunë më aktive në marrjen e fondeve evropiane. Zyrë për investime.Themelimi i Zyrës për Diasporë brenda komunës. Krijimi i një platformë digjitale për diasporën. 

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit. 

Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor. 

Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor. 

Bajram RexhepiBilall KasamiKomuna e TetovësPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreZgjedhje lokale RMV 2025