Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë ndaj një 39-vjeçari nga fshati Çerkez, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – Rrezikimi i sigurisë, nga neni 144, paragrafi 5 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
I dyshuari, përmes mesazheve në rrjetet sociale, e ka ofenduar dhe kërcënuar kryeministrin e RMV-së.
Duke vlerësuar rrethanat e kryerjes së veprës, rrezikun e arratisjes, e veçanërisht faktin se i dyshuari rezulton të jetë autor i veprave të tjera penale nga fusha e kriminalitetit të dhunshëm – dhunë, fajde dhe një numër të madh kundërvajtjesh për prishjen e rendit dhe qetësisë publike, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit.
“Ndërkaq, bazuar në provat e siguruara lidhur me sjelljen e mëparshme të të dyshuarit, bëhet fjalë për një person konfliktual, i cili vazhdimisht përfshihet në debate, kërcënime dhe përleshje fizike me denoncuesit. Për këtë arsye, vlerësohet se ekziston rrezik real që këto shpërthime agresive të shndërrohen në vepra më të rënda penale me pasoja kërcënuese për jetën, me të cilat ai kërcënon”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.