MPB arrestoi 13 persona për drejtim të pakujdesshëm, vozisnin pa patentë dhe nën ndikimin e alkoolit

Gjatë 24 orëve të fundit, zyrtarët policorë kanë arrestuar gjithsej 13 persona në territorin e gjithë vendit për veprën penale të drejtimit të pakujdesshëm të automjetit, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, 11 nga të arrestuarit drejtonin automjete pa patentë shoferi të vlefshme, ndërsa bëhet fjalë për persona nga Shkupi, Velesi dhe Prilepi.

Përveç tyre, dy shoferë nga Shkupi dhe Kumanova janë privuar nga liria pasi drejtonin automjetet nën ndikimin e alkoolit. Gjatë këtyre kontrolleve policore, te njëri prej shoferëve nga Shkupi, i cili nuk kishte patentë shoferi, policia ka konstatuar gjithashtu se targa e përparme e automjetit nuk i përkiste fare automjetit që ai drejtonte.

Nga MPB-ja njoftojnë se vazhdojnë me kontrollet e përforcuara në komunikacion, me qëllim sanksionimin e shoferëve të papërgjegjshëm që rrezikojnë sigurinë në rrugë. Njëkohësisht, apelojnë te qytetarët se respektimi konsekuent i rregullave dhe dispozitave, posedimi i patentës së vlefshme dhe drejtimi i automjetit në gjendje të kthjellët janë parakushtet themelore për një komunikacion të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit.

ArrestimKomunikacioniMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së Veriut