KE publikoi raportet e progresit: RMV asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, rastet e profilit të lartë zvarriten

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton ngecje dhe mungesë progresi në disa fusha kyçe në Maqedoninë e Veriut. Në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar asnjë përparim, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur dhe shqetësim serioz. Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal nuk i kanë adresuar në mënyrë të duhur pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe kanë shtuar pasigurinë juridike. Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut ka një nivel përgatitjeje ndërmjet atij të pjesshëm dhe atij të moderuar dhe nuk ka shënuar përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Korrupsioni mbetet i përhapur dhe përbën një çështje serioze shqetësimi. Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal, që kanë të bëjnë me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe bashkimit kriminal, nuk i adresojnë në mënyrë të duhur pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe kanë kontribuar në pasigurinë juridike. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit duhet të intensifikojë identifikimin proaktiv të rasteve të mundshme të keqpërdorimeve. Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të përballen me vonesa dhe shpesh arrijnë parashkrimin, duke kontribuar në perceptimin e pandëshkueshmërisë”, thuhet në raport.

Në fushën e zgjedhjeve dhe lirisë së shprehjes gjithashtu nuk është shënuar progres. Nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-së dhe Komisionit të Venedikut për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa dezinformatat dhe ndërhyrjet e huaja në proceset informative mbeten të trajtuara në mënyrë të pamjaftueshme. Në lirinë e shprehjes, vendi nuk ka shënuar përparim, ndërsa transmetuesi publik dhe rregullatori i mediave vazhdojnë të përballen me mungesë të autonomisë financiare dhe administrative.

“Maqedonia e Veriut ka një nivel përgatitjeje ndërmjet atij të pjesshëm dhe atij të moderuar në fushën e lirisë së shprehjes dhe nuk ka shënuar përparim në këtë drejtim. Vendi ka ndërmarrë disa hapa për harmonizimin e kornizës ligjore me Aktin Evropian për Lirinë e Medias. Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe transmetuesi publik vazhdojnë të përballen me sfida, kryesisht për shkak të autonomisë së kufizuar financiare dhe administrative, si dhe financimit të parregullt”, thuhet në raport.

Prokurimi publik, lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe ligji për kompanitë janë fusha të tjera ku nuk është shënuar progres. Nuk janë zbatuar rekomandimet e mëparshme për përmirësimin e konkurrencës në tenderët publikë, mbikëqyrjen dhe luftimin e parregullsive. Po ashtu, nuk ka pasur përparim në harmonizimin e legjislacionit për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve me standardet e BE-së.

“Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e prokurimit publik. Nuk është shënuar asnjë përparim që nga vlerësimi i fundit”, thuhet në raport.

Në disa fusha të tjera, si drejtësia, lufta kundër krimit të organizuar, administrata publike dhe ekonomia, është evidentuar progres i kufizuar ose i pjesshëm, ndërsa reformat vazhdojnë të përballen me probleme të zbatimit, mungesë kapacitetesh dhe burimesh financiare e njerëzore. Në drejtësi, pavarësia dhe autonomia financiare e sistemit vazhdojnë të cenohen nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera dhe mungesa e theksuar e kuadrit dhe financimit.

Në përgjithësi, raporti konstaton se vendi nuk ka bërë përparim në disa reforma kyçe, ndërsa rekomandimet e Komisionit Evropian nga viti i kaluar në shumë fusha mbeten të pazbatuara dhe vazhdojnë të vlejnë.

Zgjerimi është një nga politikat më të rëndësishme të BE-së, që garanton paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë kontinentin. E mbështetur fuqishëm në parimin e meritave, një politikë e besueshme e zgjerimit përfaqëson gjithnjë e më shumë një investim në sigurinë kolektive të Evropës.

“Pakoja e këtij viti dëshmon se përpjekjet e vazhdueshme për reforma përkthehen në përparim konkret drejt anëtarësimit në BE, siç tregojnë Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Këto katër vende kanë avancuar në negociatat e anëtarësimit, me hapjen e grupkapitujve dhe mbylljen e përkohshme të kapitujve me një ritëm të paprecedentë. Këtë vit, Komisioni ka paraqitur pakon financiare për anëtarësimin e Malit të Zi, ndërsa puna për traktatin e anëtarësimit është duke vazhduar me intensitet. Në vijim të këtij procesi, dhe siç paralajmëroi presidentja Ursula von der Leyen në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit më 2026, Komisioni sot po paraqet udhërrëfyes orientues për këto katër vende që kanë avancuar më së shumti në negociata, duke përcaktuar objektiva konkrete për vitin e ardhshëm”, thonë nga KE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: “Përparimi i rëndësishëm i arritur nga disa vende kandidate gjatë vitit të kaluar na mundëson që premtimin e zgjerimit ta shndërrojmë në realitet. Tani po propozojmë një grup udhërrëfyesish orientues për vendet që kanë avancuar më së shumti në negociata – Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Një rrugë e qartë për vitin e ardhshëm dhe një pikë e fortë referimi për negociatat e ardhshme. Hap pas hapi, po ndërtojmë një Union më të plotë dhe më të fortë.”

Raportet tregojnë se ritmi i reformave, veçanërisht në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, së bashku me vendimet politike për sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe përparimi drejt konvergjencës ekonomike, përcaktojnë drejtpërdrejt shpejtësinë e procesit të anëtarësimit për secilin vend partner. Reformat, investimet dhe integrimi gradual i vendeve partnere të zgjerimit tashmë po e forcojnë kapacitetin e Unionit për të mbrojtur interesat e tij, për të zvogëluar cenueshmërinë dhe për të krijuar mundësi të reja.

Për të maksimizuar këto përfitime para anëtarësimit, Komisioni sot po paraqet gjithashtu një kornizë të përbashkët për integrim gradual, me qëllim thellimin e mëtejshëm të integrimit në sektorë strategjikë, si energjia, transporti, digjitalizimi dhe mbrojtja. Kjo do ta bëjë integrimin gradual më të strukturuar dhe më koherent.

Ndërsa vendet partnere të zgjerimit avancojnë në rrugën e reformave, BE-ja duhet të jetë e gatshme t’i mirëpresë ato dhe të përshtatet me ritmin e përparimit të tyre. Përmes komunikatës së fundit “Përgatitja për një Union më të gjerë”, Komisioni ka hedhur bazat për të siguruar që një Union më i madh të jetë njëkohësisht edhe më i fortë, më rezistent dhe më efikas.

Kujtojmë se edhe vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut mbeti vetëm pjesërisht e përgatitur në luftën kundër korrupsionit dhe nuk kishte shënuar progres, ndërsa korrupsioni vazhdonte të jetë i përhapur dhe shqetësues. Prokuroria dhe njësitë hetimore, thuhej atëkohë, vuajnë nga mungesa e stafit dhe burimeve, ndërsa rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shpesh vonohen, parashkruhen ose përfundojnë me dënime minimale.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEKomisioni Evropian (KE)Raporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë