Kaltrina Zekolli në OpenMic: Truri nuk ka gjini, gratë e kanë shumë më të rëndë të dëshmohen se sa burrat

Në episodin e dytë të OpenMic në Portalb të ftuar kishim Kaltrina Zekollin, profesoreshë universitare e cila së fundmi i është futur edhe politikës

Me të biseduam për sfidat e grave dhe rrugën e tyre drejt suksesit, për punën e saj me studentët dhe të rinjtë, politikën, sfidat e nënave të vetme, gratë në jetën publike dhe shumë të tjera.

“Truri nuk ka gjini”, tha Zekolli e cila ndër të tjera theksoi se është shumë e rëndë për një grua të dëshmohet se sa për një burrë, pasi gruaja gjykohet shumë.

“Për fat të mirë, çdo ditë e më shumë, gruaja në shoqërinë tonë, gruaja shqiptare po emancipohet, po bëhet më e pavarur, po bëhet pak individualiste duke qenë egoiste sa i përket nevojave të saja, është shumë mirë që jam nënë që jemi nëna është bekimi më i madh që mund të kemi, por nuk mjafton dhe secila prej nesh dëshiron mos ta humb veten e saj, identitetin e saj, dëshirat e saj siç është profesioni, karriera dhe socializimi”, tha mes tjerash Zekolli.

Kur e pyetëm se pse vendosi të futet në politikë, Zekolli e cila pritet të jetë zëvendësministre e Transportit dhe Lidhjeve duke qeshur tha: “Nuk e di, përgjigje që nuk di si ta them”.

Për fund ajo porositi që të gjithë nënat e vetme mos të dorëzohen, pasi siç tha sepse ka gjëra të bukura në jetë, sepse “fundja fëmijët tanë kanë nevojë për nëna të shëndetshme, buzëqeshura dhe të lumtura, kështu që unë jam këtu për to”.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.

CTRL Z – CTRLZOpenMic