Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër Jani Makradulit, ish-drejtor i përgjithshëm i SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut”, në pronësi shtetërore, dhe ish-kryetar i Bordit Drejtues, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, sipas nenit 353 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Gjatë periudhës 2021–2022, i kallëzuari, duke vepruar në kundërshtim me Statutin e shoqërisë dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare, nuk kishte ndërmarrë veprime për zbatimin e vendimeve dhe konkluzioneve të Bordit Drejtues për shlyerjen e detyrimeve monetare ndaj dy subjekteve juridike, në vlerë të përgjithshme prej 19.292.984 denarësh.
Pavarësisht se i ishin dorëzuar dokumentet e nevojshme për pagesë, i kallëzuari nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen për shlyerjen e borxhit, nuk i kishte konfirmuar faturat dhe nuk i kishte nënshkruar urdhërpagesat. Me këto veprime, ai kishte mundësuar që kundër shoqërisë të nisnin procedura gjyqësore, pas të cilave, me vendime gjyqësore, ishin përcaktuar detyrime për pagesën e kamatës ndëshkuese.
Në këtë mënyrë, SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut” i ishte shkaktuar dëm i përgjithshëm prej 10.968.483 denarësh vetëm në bazë të kamatës ndëshkuese.