Ka një muaj që është prishur pajisja për matjen e cilësisë së ajrit në RMV, paraprakisht jepte rezultate të larta

Që nga fillimi i korrikut, instrumentet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor të vendosura në vendbanimin Tunel në Veles, nuk i kanë shfaqur vlerat e matura dhe banorët e Velesit nuk kanë informacion për cilësinë e ajrit që thithin. Por problemi nuk u shfaq vetëm në korrik – dhe për shtatë ditë në qershor, nuk kishte të dhëna të qasshme për cilësinë e ajrit në Veles, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

“Stacioni automatik i monitorimit për matjen e cilësisë së ajrit në Veles – Veles 2, pjesërisht në qershor 2026, si dhe nga 1 korriku 2026 e tutje, për shkak të një defekti në pajisjen për mbledhjen e të dhënave nga matjet e marra nga instrumentet (Data Logger), nuk është në funksion. Prandaj, megjithëse instrumentet matëse janë duke funksionuar, nuk ka të dhëna të disponueshme nga matjet. Aktualisht po bëhen përpjekje për të kapërcyer problemin. Pas përfundimit të servisimit dhe testimit të pajisjes së mbledhjes së të dhënave, ajo do të instalohet në stacion dhe të dhënat e matjes do të jenë përsëri të disponueshme”, njoftoi Ministria e Mjedisit.

Stacioni matës i Ministrisë së Mjedisit ndodhet në oborrin e kopshtit në vendbanimin Tunel, pranë rrugës rajonale Veles-Çashka dhe rrugës Beogradska, në të cilën gjatë kësaj periudhe po kryheshin punime ndërtimi për rindërtim.

Majat jashtëzakonisht të larta të ndotjes u regjistruan gjithashtu gjatë prillit dhe majit. Kështu, më 20 maj në orën 8 të mëngjesit, u mat një përqendrim i grimcave PM10 prej 185 mikrogramësh për metër kub, dhe më 9 maj në orën 9 të mëngjesit, 140 mikrogramë për metër kub.

Në prill, një situatë e ngjashme u vu re më 16 dhe 24 prill, kur u matën përqendrime prej 185 mikrogramësh për metër kub të grimcave PM10, përkatësisht në orën 11:00 dhe 21:00. Për shkak të këtyre përqendrimeve të larta orare, vlerat ditore tejkaluan limitin e lejuar me ligj prej 50 mikrogramësh për metër kub.

EkologjiInspektorati komunal ekologjikInspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (Ekologjik) RMVMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Mjedisi jetësorNdotja e ajrit - ajër i ndoturTaksa ekologjikeVelesi