Bashkimi Evropian është e ardhmja e Maqedonisë së Veriut. Procesi i zgjerimit duhet të përshpejtohet sa më parë, derisa Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të përqendrohet në reforma. Këto janë përfundimet kryesore nga panel diskutimi me titull: “Formësimi i së ardhmes- Integrimi në BE si nxitës i progresit të Maqedonisë së Veriut”, i organizuar në Shkup, nga Fondacioni Konrad Adenauer, Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Vilfrid Martens Qendra për Studime Europiane, shkruan Portalb.mk.
Ambasadorë të huaj në vend dhe deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, nisur nga këndvështrimet e tyre kanë theksuar rëndësinë e BE-së për Maqedoninë e Veriut.
Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler kujtoi se në këtë periudhë kur Evropa po ballafaqohet me shumë sfida, duhet marrë veprime të shpejta.
“Jemi të preokupuar në shumë fusha. Është koha që Evropa të kujdeset për punët e veta. Duhet shikuar si marrim vendime. Të jemi të aftë të marrim veprime të shpejta. Edhe qeveria e re në Gjermani është zotuar për veprim të menjëhershëm në Europë. Forca jonë është uniteti ynë. Procesi i zgjerimit duhet të ketë parashikueshmëri”, tha ambasadorja gjermane, Dreksel.
Mihalis Rokas, ambasadori i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut theksoi se për mirëmbajtjen e paqes duhet plotësuar të gjithë mangësitë.
“Duhet të kemi guxim. Këtu për vizit ishin Kallas dhe Koshta, të cilët treguan se Maqedonia e Veriut i përket Evropës dhe punojnë me përkushtim që ta kthejnë besimin. Nuk ka dyshim se të rinjtë e duan BE-në dhe kanë besim në proces. Duhet bërë reformat, derisa punohet në çështje delikate”, porositi ambasadori Rokas.
Deputetja e shumicës parlamentare, Marija Petrushevska, kuadër i VMRO-DPMNE-së tha se BE është lartë në agjendën e qeverisë aktuale.
“E kemi përgjegjësi si gjeneratë që t’i bëjmë reformat. Besojmë ne idenë e BE-së dhe është lartë në agjendë. Do të kontribuojmë sepse idenë e shohim si transformuese të shoqërisë, jo vetëm anëtarësim”, tha Petrushevska.
Sipas deputetes Monika Zajkova, nga radhët e Partisë Liberal Demokratike, BE duhet të tregohet e vendosur në zgjerim.
“Evropa nuk është vetëm vlerë, por edhe vend ku përkasim. Ne, si parti, menjëherë pas zgjedhjeve dolëm me propozim – zgjidhje kreative- me të cilën kohëve të fundit doli edhe presidentja Gordana Siljanovska. Treguam vullnet për ta ndihmuar qeverinë. Maqedonia e Veriut tashmë ka treguas se është e vendosur në këtë drejtim. Megjithatë, edhe BE duhet të tregohet e vendosur në zgjerim. Apeloj që të dalim publikisht, me qëndrim të përbashkët për zgjidhje kreative”, tha Zajkova.
Feride Haxhiu, deputete e koalicionit VLEN tha se Bashkimin Europian nuk duhet ta shohim si destinacion, por si një mënyrë se si duhet të ndërtohemi e avancohemi.
“Vonesa do të krijojë një ndjenjë zhgënjimi. Duhet të bashkëpunojmë. Është e domosdoshmë që në institucione të ketë transparencë dhe gjithëpërfshirje. Nëse vazhdohet me ngecje do të perceptohet edhe si mungesë e përfshirjes së barabartë”, tha deputetja e VLEN- it, Haxhiu.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka ngecur në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian shkaku i ngërçit politik si rrjedhojë e mosdialogut me Bullgarinë fqinje dhe nevojën për ndryshime kushtetuese. Se sa është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu me Bullgarinë dhe të bëhen ndryshimet kushtetuese e kanë vërtetuar edhe vizitat e fundit të krerëve të BE-së në Shkup.