IKS: Nevojitet mekanizëm kombëtar i integruar për t’iu përgjigjur ndërhyrjes dhe manipulimit të huaj me informacionin

Vendosja e një modeli kombëtar për menaxhimin e ndërhyrjeve dhe manipulimeve të huaja të informacionit (FIMI) do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut të kalojë në një sistem të integruar, funksional dhe të qëndrueshëm për reagimin institucional ndaj kërcënimeve të tilla, u tha në konferencën “Kërcënimet Hibride dhe të Informacionit: Nga Njohja drejt Reagimit Kombëtar Sistematik”, e organizuar nga Instituti për Studime Komunikimi (ISK), njofton Portalb.mk.

Ndërhyrjet dhe manipulimet e huaja të informacionit përbëjnë një rrezik serioz për demokracinë pasi synojnë të minojnë besimin te institucionet, të prishin procesin demokratik dhe të thellojnë polarizimin në shoqëri. Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, ndodhet në një rajon gjeostrategjik që shpesh është i ekspozuar ndaj fushatave dezinformuese, prandaj shteti duhet të vendosë një mekanizëm kombëtar për koordinim dhe rezistencë ndaj FIMI-së.

Në fjalimin përshëndetës, Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se “fushatat e dezinformimit nuk janë vetëm problem mediatik, por problem sigurie me pasoja strategjike”.

“Kjo është fusha e re e betejës. Prandaj, këtë konferencë nuk e shoh vetëm si një debat shkencor, por si një alarm për një zgjim të vërtetë. Kërcënimet hibride nuk sulmojnë vetëm sistemin, por edhe besimin te sistemi, dhe detyra jonë është të ndërtojmë një sistem që nuk do të bjerë në goditjen e parë të fortë të një fushate dezinformimi. Detyra jonë është të ndërtojmë një shtet që do t’i njohë dhe do t’u përgjigjet kërcënimeve shpejt dhe në mënyrë profesionale. Ne po ndërtojmë një reagim sistematik, jo me improvizime,” theksoi Kryeministri Mickoski.

Për të arritur këtë qëllim, Kryeministri njoftoi se do të organizohen trajnime për profesionalizimin e kuadrove dhe do të ndahen burimet e nevojshme për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm rezistence.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Metju Loson (Matthew Lawson), theksoi se ndërhyrja dhe manipulimi i huaj i informacionit është një kërcënim sigurie për të gjithë aleatët dhe partnerët e NATO-s.

“Ndërhyrja e huaj nuk është pjesë e një demokracie të shëndoshë, por është një kërcënim dhe minon demokracinë. Dezinformatat na bombardojnë dhe qytetarët dhe gazetarët nuk mund të vlerësojnë se çfarë është debat legjitim e çfarë propagandë. Prandaj e lidhim këtë partneritet, si kontribut në luftën globale kundër dezinformatave,” tha ambasadori britanik Loson.

Drejtoresha e Institutit për Studime Komunikimi, Zhaneta Trajkoska, tha se ky projekt është një vazhdim logjik i aktiviteteve të mëparshme në të cilat ka punuar Instituti për Studime Komunikimi në fushën e dezinformatave.

“Ndërhyrja dhe manipulimi i huaj i informacionit është një kërcënim tinëzar dhe serioz që minon demokracinë dhe thekson ndarjet në të gjitha bazat, kufizon ndjenjën e sigurisë dhe fokusohet në kategoritë e cenueshme të qytetarëve. Në përgjigje të këtyre kërcënimeve, nevojitet një sistem i integruar që do të jetë bashkues dhe do të përfshijë komunitetin akademik, shoqërinë civile etj.,” theksoi Trajkoska në fjalimin e saj hyrës.

Në konferencë u prezantua dokumenti i politikave publike i hartuar nga ISK “Reagimi institucional ndaj ndërhyrjes dhe manipulimit të huaj të informacionit në Maqedoninë e Veriut: modele dhe opsione politikash”. Në dokumentin, i cili u hartua në bashkëpunim me grupin koordinues të përfaqësuesve nga dhjetëra institucione kyçe, thuhet se qasja kombëtare ndaj menaxhimit të ndikimeve hibride dhe të informacionit është e fragmentuar dhe reaktive, ndaj është e nevojshme një zgjidhje për një sistem të koordinuar dhe të qëndrueshëm. Analiza thekson se nuk ka një kuptim institucional të unifikuar për NMHI-në, pasi ato nuk janë të përcaktuara në rregullativën vendase. Institucionet kyçe nuk e njohin mjaftueshëm rolin e tyre në sistemin më të gjerë, dhe shumica theksojnë mungesën e komunikimit dhe memories institucionale, si dhe mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe teknike.

Dokumenti propozon tri modele të mundshme: krijimi i një qendre të pavarur për rezistencën digjitale ose kombëtare, formimi i një mekanizmi kombëtar koordinues nën Qeverinë, ose integrimi në Këshillin për Koordinimin e Komunitetit të Sigurisë dhe Inteligjencës. Dokumenti i politikave publike rekomandon vendosjen e një mekanizmi kombëtar të bazuar në koordinimin ndërinstitucional, edukimin mediatik, forcimin e vetëdijes publike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ofron një udhërrëfyes me hapa të qartë që duhet të ndërmarrë Qeveria.

Në panel diskutimin, Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, prezantoi bazat e infrastrukturës së re të parashikuar me Ligjin për Sigurinë Kibernetike. Ekspertë vendas, rajonalë dhe nga Qendra Evropiane e Ekselencës për Kundërshtimin e Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE) folën për praktikat dhe mundësitë evropiane, kontekstin rajonal dhe mundësitë për ndërtimin e rezistencës afatgjatë.

Konferenca u organizua në kuadër të projektit “Monitorimi, zbulimi dhe demaskimi i ndërhyrjeve dhe manipulimeve të fshehura të informacionit të huaj”, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike në Shkup.

Dezinformim - Dezinformatë - Lajm i rrejshëm