Prokuroria Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër një fëmije 17-vjeçar i cili u përpoq të vriste babanë e tij me një objekt të mprehtë, transmeton Portalb.mk.
Incidenti i përgjakshëm ndodhi në rrugën “Hristijan Todorovski Karposh” në Shkup, në shtëpinë familjare të fëmijës së dyshuar, i cili, sipas Prokurorisë, me dashje u përpoq t’i merrte jetën prindit të tij.
“Prokurori publik nga Prokuroria Publike e Shkupit i ka paraqitur një kërkesë gjyqtarit kompetent për fëmijë për të filluar procedurë përgatitore kundër një fëmije 17-vjeçar në konflikt me ligjin, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprim që përcaktohet me ligj si vepër penale, vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 në lidhje me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal”, informoi Prokuroria.
Prokuroria sqaroi se derisa babai ishte në dhomën e gjumit, fëmija iu afrua nga pas dhe i shkaktoi 10 plagë me thikë me një objekt të mprehtë. Në atë moment, nëna, e cila ishte aty pranë, arriti ta shtynte të miturin larg dhe menjëherë kërkoi ndihmë mjekësore.
Babai u shtrua në spital në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ku, edhe pas operacionit, ai mbetet në gjendje kitike për jetën.
Prokurori publik propozoi që të miturit t’i shqiptohet masa e paraburgimit.