Prokuroria Themelore Publike kundër Krimit dhe Korrupsionit ka filluar hetimin kundër gjashtë personave fizikë dhe dy subjekteve juridike të cilët dyshohen për përvetësim dhe larje të mbi 2,2 milionë eurove, transmton Portalb.mk.
Në hetim është përfshirë një pronar dhe drejtues i një subjekti juridik me përgjegjësi penale nga fshati Kuçevishtë, i cili njëkohësisht ka qenë edhe anëtar joekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të një shoqërie brokerimi sigurimesh me përgjegjësi penale. Për të ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Larje parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”.
Për ndihmë në kryerjen e të njëjtave vepra penale dyshohen dy anëtarë ekzekutivë të Bordit të Drejtorëve të shoqërisë së brokerimit të sigurimeve, si dhe një kontabilist i autorizuar dhe drejtues i një shoqërie për shërbime kontabiliteti dhe konsulencë.
Drejtuesi i stacionit për kontroll teknik dhe zëvendësdrejtorja për financa në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Përvetësim në detyrë”.
Me urdhrin përfshihen edhe dy persona juridikë, të dyshuar për veprën penale “Larje parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”.
Sipas provave të siguruara deri më tani, në periudhën nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026, i dyshuari i parë, me qëllim që për vete të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme, ka përvetësuar 138.877.419 denarë, ndërsa të dyshuarit e tjerë me dashje e kanë ndihmuar në kryerjen dhe fshehjen e veprës penale.
Me veprimet që janë objekt i hetimit është përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 138.877.419 denarësh, përkatësisht rreth 2,26 milionë euro, në dëm të disa institucioneve dhe komunave.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuar dhe masave të kujdesit për një të dyshuar.