Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se deri më tani janë kryer katër fluturime të organizuara për evakuimin e qytetarëve nga rajoni i Lindjes së Mesme, duke transportuar gjithsej 458 pasagjerë. Nga këta, 380 janë shtetas të Maqedonisë, ndërsa 78 janë shtetas të huaj, transmeton Portalb.mk.
Në total, sipas vendit, midis shtetasve të huaj të evakuuar ka: 14 nga Bosnja dhe Hercegovina, 13 nga Kosova, 13 nga Shqipëria, 8 nga Serbia, 6 nga Mali i Zi, 3 nga Greqia, 2 nga SHBA-të, si dhe nga 1 shtetas nga Ukraina, Gjermania, Armenia dhe Indonezia, si dhe 4 persona me pasaportë holandeze të BE-së.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, nëpërmjet misioneve diplomatike dhe konsullore dhe numrit të telefonit të detyrës, mbetet në dispozicion të shtetasve të Maqedonisë në rajonet e krizës”, thonë nga MPJ.
Përndryshe mbrëmë vonë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës u ul aeroplani i tretë me pasagjerë që u evakuuan me sukses nga vendet e Lindjes së Mesme. Bëhet fjalë për pasagjerë nga Katari, Kuvajti, Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Mbretëria e Bahreinit, të cilët u larguan nga rajoni i krizës nga Aeroporti Ndërkombëtar King Khaled në Riad, ku u transportuan me transport të organizuar tokësor.
Në Aeroportin e Prishtinës, pasagjerët u pritën nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Në aeroplan ndodheshin 151 pasagjerë, nga të cilët 109 ishin shtetas të Maqedonisë dhe 42 shtetas të huaj, përfshirë 12 shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës, 11 shtetas të Republikës së Shqipërisë, 9 shtetas të Republikës së Kosovës, 4 shtetas të Malit të Zi, 3 shtetas të Greqisë, 2 shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 1 shtetas i Republikës së Indonezisë.
Shumica e pasagjerëve u evakuuan nga shteti i Katarit, i ndjekur nga shteti i Kuvajtit, si dhe Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Mbretëria e Bahreinit.
Ky fluturim u organizua dhe u zbatua plotësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në koordinim me institucionet kompetente.
Përkeqësimi i situatës së sigurisë në Iran lidhet drejtpërdrejt me tensionet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që janë intensifikuar ditët e fundit. Autoritetet iraniane u kanë bërë thirrje disa ambasadorëve të huaj për sqarime, duke i akuzuar se mbështetja e tyre publike për protestuesit përbën “ndërhyrje të papranueshme” në punët e brendshme të vendit. Këto reagime vijnë në një kohë kur protestat dhe pakënaqësitë sociale kanë nxitur masa të shtuara sigurie, rritje të pranisë policore dhe kufizime të mundshme për lëvizjen e qytetarëve dhe të huajve në disa zona.
Në të njëjtën kohë, situata është tensionuar edhe më shumë nga përplasjet politike dhe kërcënimet në planin ndërkombëtar, veçanërisht mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Administrata amerikane ka diskutuar hapur opsione ushtarake dhe masa të tjera presioni ndaj Teheranit, ndërsa presidenti Donald Trump ka deklaruar se Irani ka kërkuar bisedime pas kërcënimeve ushtarake të SHBA-së.
Kjo klimë pasigurie, e shoqëruar me rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, ka shtyrë shumë shtete të rishikojnë udhëzimet e udhëtimit dhe të apelojnë për largimin e qytetarëve të tyre, përfshirë edhe thirrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.