Grupi i 26-të i vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut e dha betimin

Sot, 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut e dhanë betimin e tyre. Këta amerikanë iu bashkangjitën grupit të mbi 800 qytetarëve të SHBA-ve që kanë shërbyer si vullnetarë të Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut që nga viti 1996. Vullnetarët e Korpusit të Paqes kanë punuar gati se në secilën komunë në Maqedoninë e Veriut ku kanë bashkëpunuar me mësues, nxënës dhe organizata, transmeton Portalb.mk.

Në ceremoni ishin të pranishëm Ambasadorja e SHBA-ve Angela P. Aggeler, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, përfaqësues të ministrive dhe komunave, drejtorë të shkollave, bashkëpunëtorë të tjerë, si dhe familje nikoqire. Vullnetarët e ri shërbimin e tyre do ta fillojnë të hënën.

“Vullnetarët e përfaqësojnë më të mirën e asaj që Amerika ka për t’i ofruar botës dhe në të njëjtën kohë, ata e marrin me vete më të mirën e asaj që Maqedonia e Veriut ka për t’i ofruar botës. Ndër vite,  ata ndërtojnë ura të qëndrueshme mes njerëzve të dy vendeve tona, të cilat as koha nuk i thyen, edhe pas përfundimit të shërbimit të vullnetarëve”, tha ambasadorja Angela P. Aggeler.

Gjatë trajnimit të tyre përgatitor, vullnetarët amerikanë jetuan me familje nikoqire si dhe mësuan kulturën dhe gjuhën shqipe dhe maqedone. Ata patën mundësi edhe për trajnim praktik ku ligjëruan gjuhën angeze në shkolla dhe ndihmuan në OJQ-të lokale.

“Në ditët në vijim, këta vullnetarë të Korpusit të Paqes do të zhvendosen në vendet e tyre të caktuara për shërbim. Ata do të mirëpriten përsëri në shtëpi dhe komunitete të reja dhe do të fillojnë të punojnë me shkollën, komunën ose OJQ-në lokale në të cilën janë caktuar.  Paraprakisht dua t’i falënderoj familjet nikoqire dhe bashkëpunëtorët për të gjithë mbështetjen që do të ofrojnë gjatë dy viteve të ardhshme të shërbimit”, tha Drejtori i Korpusi të Paqes në Maqedoninë e Veriut, David Reside.

Korpusi i Paqes është themeluar në vitin 1961 nga presidenti Xhon Kenedi dhe ka tre qëllime: t’ju ndihmojë shteteve që kanë nevojë për individë të trajnuar që do të ofrojnë ndihmë teknike; të ndihmojnë në promovimin dhe njohjen më të mirë të amerikanëve përmes vullnetarëve; si edhe të promovojë njohjen më të mirë të popujve të ndryshëm nga ana e amerikanëve. Përmes këtyre përpjekjeve, vullnetarët e Korpusit të Paqes punojnë për të përfocuar paqen në komunitetin ndërkombëtar dhe mirëkuptimin në mes njerëzve nga kultura dhe tradita të ndryshme.

Angjela Prajs Ageler (Angela Price Aggeler)Maqedonia e Veriut RMVShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Stevo Pendarovski