Greta Thunberg në RMV: Vizitoi Tetovën, kritikoi Kuvendin për qëndrimin ndaj Gazës, do t’i bashkëngjitet protestës në Doshnicë

Aktivistja suedeze për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, Greta Thunberg, ka qëndruar në Tetovë, shkruan Portalb.mk. 

Ajo ka vizituar punimet për hapsirat e reja të Qendrës Socio-Kulturore në Tetovë, e njohur ndryshe si Space Tetova.

“Vizituam hapësirën e re ku po zhvendosemi, ku gjatë javës së kaluar, vullnetarët e komunitetit tonë, së bashku me më shumë se njëqind vullnetarë nga rrjeti ynë ndërkombëtar në Belgjikë, Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, kanë punuar intensivisht për ta bërë të mundur këtë tranzicion”, informuan nga Qendra Socio-Kulturore. 

Përurimi i hapsirave të reja do të bëhet nesër nga ora 18:00. 

Thunberg njoftoi se do t’i bashkohet bllokadës kundër ndërtimit të hidrocentralit në lumin Doshnicë në Kozhuf.

“Jam në Shkup, ku parlamenti maqedonas dje refuzoi të votojë për dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza. Ne duhet të tregojmë solidaritet. Do të bashkëngjitem në diskutimin në  ‘Dunja’ dhe bllokimin e lumit Doshnica”, tha Thunberg në një video në rrjetet sociale.

Përpara se të vinte në Maqedoninë e Veriut, Thunberg mori pjesë në protestën pro Palestinës që u mbajt në Tiranë. 

Kujtojmë që Thumberg u deportua së fundmi nga Izraeli për shkak se u përpoq të shpërndante ndihmë humanitare për civilët në Gaza që po vdesin nga uria në anijen “Madeleine”.

Më 10 qershor, anija “Madeleine” u ndalua nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare, pas së cilës Thunberg u hip në një fluturim për në Francë, nga ku vazhdoi për në Suedi. 

GazaGreta Tunberg (Thunberg)KozhufPalestinaTetova