Greta Thunberg: Jemi rrëmbyer nga forcat izraelite, thoni Qeverisë suedeze të kërkojë lirimin tonë të menjëhershëm

Në një video të publikuar në Facebook, aktivistja suedeze, Greta Thunberg, deklaron se është rrëmbyer dhe mbajtur peng kundër vullnetit të saj nga forcat izraelite. Ajo thekson se misioni i saj humanitar ishte i pa-dhunshëm dhe i mbrojtur nga ligji ndërkombëtar, duke kërkuar që qeveria suedeze të ndërmarrë veprime për lirimin e saj të menjëhershëm dhe të të tjerëve, transmeton Portalb.mk.

Thunberg ishte pjesë e flotës Global Sumud Flotilla, një konvoj ndërkombëtar që synonte të dërgonte ndihma humanitare në Gaza dhe të sfidonte bllokadën detare të Izraelit. Në një mesazh të regjistruar paraprakisht, ajo thotë:

“Unë quhem Greta Thunberg. Jam shtetase e Suedisë. Nëse po e shihni këtë video, unë jam rrëmbyer dhe jam marrë peng kundër vullnetit tim nga forcat izraelite. Misioni ynë humanitar ishte i pa-dhunshëm dhe i përmbahet ligjit ndërkombëtar. Ju lutem tregoni Qeverisë së vendit tim të kërkojë lirimin e menjëhershëm timin dhe të të tjerëve”.

Ky mesazh siç edhe mund të kuptohet, ishte përgatitur në rast se anija e saj do të pengohej për para mbërritjes në Gaza.

Forcat izraelite ndaluan disa anije të flotës në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut, duke përfshirë edhe anijen “Madleen” që transportonte Thunberg dhe aktivistë të tjerë. Ministria e Jashtme Izraelite deklaroi se pasagjerët, përfshirë Thunberg, ishin “të sigurt dhe të shëndetshëm” pas ndalimit të anijes dhe transferimit të saj në një port izraelit. Megjithatë, organizatorët e flotës e kanë cilësuar këtë veprim si një akt të paligjshëm dhe një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Ky incident ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, me disa shtete që kanë dënuar veprimet e Izraelit dhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të ndaluar.

GazaGjenocidGreta Tunberg (Thunberg)IzraeliPalestina