Sonte (7 nëntor), në Qendrën për Kulturë në Gostivar, me fillim nga ora 20:00 do të mbahet edicioni i dytë i Festivalit “Goca e Tivarit”. Ky festival tashmë po kthehet në një ngjarje tradicionale që bashkon artistë, këngëtarë dhe adhurues të muzikës popullore nga mbarë trojet shqiptare. Në skenë do të ngjiten emra të njohur të muzikës, të cilët me interpretimet e tyre do të sjellin atmosferë festive dhe emocione të forta për publikun gostivaras, shkruan Portalb.mk.
Ky festival, që tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e jetës kulturore të qytetit, lindi nga dëshira për të ruajtur dhe për të promovuar trashëgiminë muzikore, përmes legjendës së njohur që lidhet me emrin e Gostivarit “Goca e Tivarit”. Ky emër simbolik mbart brenda vetes frymën e një rrëfimi që bashkon historinë, artin dhe shpirtin qytetar të vendit tonë.
Përmes këtij festivali, duam të përcjellim mesazhin se arti, muzika dhe tradita janë ura që lidhin brezat dhe qytetet, duke mbajtur gjallë kujtimet dhe emocionet që na bashkojnë, bëjnë të ditur nga Qendra për Kulturë Gostivar.
Në këtë edicion do të marrin pjesë artistë nga vendi dhe rajoni, mes tyre:
- Kosovarja këndon nga Ferizaji,
- Ansambli Dardanus nga Tetova,
- Orkestra e Qendrës për Kulturë Gostivar, të cilët do të sjellin një program të pasur muzikor, me këngë që ndërthurin nostalgjinë, dashurinë dhe frymën e vendlindjes.
Ky festival do të jetë një mbrëmje që fton qytetarët të kujtojnë rrënjët e tyre p;rmes muzikës, duke e kthyer artin në një urë miqësie mes institucioneve tẽ kulturës nga qytete të ndryshme të vendit dhe rajonit. Në këtë mënyrë, Festivali “Goca e Tivarit” po shndërrohet në një traditë të bukur që çdo vit pasuron jetën kulturore të qytetit, duke sjellë në skenë artistë të rinj e të afirmuar, dhe duke forcuar bashkëpunimin kulturor ndërmjet qyteteve.
Po ashtu, në kuadër të festave të Nëntorit, Qendra për Kulturë do të organizojë një varg aktivitetesh kulturore për të shënuar:
- 22 Nëntorin-Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe,
- 28 Nëntorin-Ditën e Flamurit Kombëtar.
Këto manifestime do të përfshijnë programe artistike, ekspozita, koncerte dhe promovime, duke e kthyer Nëntorin në një muaj të pasur me ngjarje që mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar dhe kulturor, bëjnë të ditur nga Qendra për Kulturë Gostivar.