Pronari i të ashtuquajturës kabare “Puls” në Koçan, Dejan Jovanov, nuk ua ka paraqitur për kontroll licencën e punës zyrtarëve policorë gjatë një kontrolli në vitin 2023, ndërsa qasja në objekt ishte plotësisht e bllokuar nga automjetet e parkuara, dëshmoi sot inspektorja e pavarur në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare Lindje – Dellçevë, Despina Simeonova, në gjykimin kundër nëntë zyrtarëve policorë të akuzuar në lidhje me zjarrin në kabarenë “Puls”, transmeton Portalb.mk.
Simeonova, e cila dëshmoi gjatë marrjes në pyetje të drejtpërdrejtë nga Prokuroria, sqaroi se në Ministrinë e Punëve të Brendshme është e punësuar që nga viti 2001, ndërsa gjatë viteve 2022 dhe 2023 në vazhdimësi ka kryer detyrat e inspektores për të huaj, duke përfshirë punë administrative dhe në terren.
E pyetur për mënyrën e zhvillimit të aktiviteteve dhe bashkëpunimin me shërbimet e tjera, ajo tha se kur veprojnë sipas Ligjit për të Huajt, procedojnë vetëm inspektorët për të huaj, ndërsa kur punojnë sipas planeve operative, zhvillojnë aksione të përbashkëta me inspektorët e MPB-së, Inspektoratin e Tregut, Inspektoratin e Punës dhe atë të Çështjeve Sociale.
“Kur punojmë në pjesën tonë, sipas Ligjit për të Huajt, puna mund të jetë individuale dhe në atë rast veprojmë vetëm ne, inspektorët për të huaj. Kur punojmë sipas planeve operative, planeve shtesë të MPB-së – Byrosë për Siguri Publike, kjo do të thotë se kemi aksione të përbashkëta me inspektoratet e tjera, me kolegë nga MPB-ja, me Inspektoratin e Tregut, Punës dhe Çështjeve Sociale, si dhe me inspektorë të tjerë të nevojshëm që përfshihen në atë plan operativ, varësisht nga nevojat”, tha Simeonova.
Ajo theksoi se kontrollet në Komunën e Koçanit kryesisht zhvilloheshin në objekte hotelerie, hotele, motele, bujtina dhe apartamente me kapacitete akomoduese, me qëllim zbulimin e qëndrimit të parregullt dhe të paligjshëm të të huajve.
Sa i përket “Pulsit”, Simeonova konfirmoi se gjatë periudhës 2022–2023 ishin kryer kontrolle në disa raste, por, siç tha ajo, gjithmonë brenda kompetencave të saj. Pas çdo kontrolli të kryer përgatitej raport, i cili i dorëzohej Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare Lindje.
Kontrollet zhvilloheshin gjatë orëve të natës, fillimisht nga ora 22:00 deri në 03:00, ndërsa më vonë nga ora 23:00 deri në 04:00.
Lidhur me procedurën e evidentimit të parregullsive nga shërbimet e tjera të pranishme, Simeonova sqaroi se çdo plan operativ ka një person përgjegjës që e zbaton aksionin.
“Ai është përgjegjës që pas përfundimit të përpilojë raport dhe ta dorëzojë te shërbimi kujdestar, përkatësisht në Stacionin Policor në Koçan. Supozoj se SP Koçan, sipas hierarkisë së të punësuarve, përgjegjësi duhet ta përcjellë atë në SPB Shtip”, tha Simeonova.
Në pyetjen e Prokurorisë lidhur me qasjen e komunikacionit deri te objekti dhe praninë e automjeteve përreth tij, Simeonova dëshmoi se kishte kaos në komunikacion.
“Kaos është, me një fjalë – nuk mund të kalohet. Parkingu që përdoret nga hoteli aty pranë është plot, ndërsa në rrugën para diskotekës nuk mund të kalohet për shkak të automjeteve të parkuara”, tha Simeonova.
Inspektorja përshkroi në detaje edhe momentin kur nga pronari i objektit u kërkua dokumentacioni për punë. Ajo tha se licenca ishte kërkuar në praninë e saj nga kolegu Zllatko Kuzmanovski, i cili ishte përgjegjës për planin e aksionit.
“Me kërkesë të kolegut Zlatko Kuzmanovski, i cili ishte përgjegjës për planin e aksionit, në praninë time u kërkua licenca e punës së diskotekës ‘Puls’. Nga pronari Dejan Jovanov licenca nuk na u tregua dhe as nuk na u dha për kontroll, me shpjegimin se ishte shumë vonë për ta kërkuar kontabilistin, pasi ai nuk ndodhej në ambientet e diskotekës dhe se do ta sillte të hënën. Ai pretendonte se dokumentet për rinovimin e licencës së punës i kishte dorëzuar 15 ditë më parë në Shkup dhe në atë moment pretendonte se licenca ishte e vlefshme deri më 31 mars 2023. Nga ana ime dhe e kolegut kjo u shënua në raport atë mbrëmje”, dëshmoi Simeonova.
Procesi gjyqësor kundër nëntë zyrtarëve policorë vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave materiale të propozuara nga Prokuroria.
Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit ADN, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit.
Numri i përgjithshëm i të akuzuarve në procesin gjyqësor është 35 persona dhe tri kompani. Mes tyre janë pronari dhe persona nga struktura e të punësuarve të diskotekës, ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale – “shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
- LEXO: Ekspertiza: Rikonstruimi i “Pulse” ishte i paligjshëm, objekti nuk mund të ishte kabare
- LEXO: Gjykimi për zjarrin në Koçan: Objekti në vitin 2012 u shndërrua ilegalisht në diskotekë, komuna ishte përgjegjëse për kontrollin
- LEXO: Rasti i 13 zyrtarëve të policisë të akuzuar për zjarrin në Koçan do të kalojë për shqyrtim kryesor
- LEXO: Prindërit e rastit “Pulse”: Viktimat mund të ishin shpëtuar po ta ndalte policia festën
- LEXO: Zjarri në Koçan: Pika poliuretani, që zhvillon temperaturë të lartë në kontakt me zjarrin, u gjetën në xhaketën e këngëtarit Andrej nga “DNK”