Sot Portalb.mk sjell intervistën me Fitim Shabanin, njëri ndër stomatologët më të njohur botërorë. Ai ka diplomuar si teknik dentar në Tetovë, ndërsa me sukses ka përfunduar studimet në mjekësi dhe stomatologji në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Master i Studimeve të Avancuara (Parodontologji, Endodonci, Stomatologji Restauruese) në Universitetin e Cyrihut, Zvicër. Kandidat për programin e doktoratës në Universitetin e Grazit, Austri. Ligjërues në Zvicër dhe jashtë saj në fushën e endodoncionit dhe stomatologjisë restauruese, i profesionalizuar në përdorimin e mikroskopit operativ dentar në stomatologji. Ai është anëtar i disa shoqatave të ndryshme, autor libri dhe autor i disa artikujve ndërkombëtarë, producent dhe regjisor i disa projekteve edukative kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e stomatologjisë. Ai rrëfeu përvojat e tij në këtë profesion.
Portalb.mk: Si ka nisur rrugëtimi juaj drejt profesionit të stomatologjisë dhe çfarë ishte ajo që ju frymëzoi të zgjidhnit pikërisht endodoncinë si specializimin tuaj?
Fitim Shabani: Rrugëtimi im drejt stomatologjisë nisi nga dëshira për të ndihmuar njerëzit të ruajnë shëndetin dhe bukurinë e buzëqeshjes së tyre. Endodoncia më tërhoqi veçanërisht për shkak të kompleksitetit dhe rëndësisë së saj në shpëtimin e dhëmbëve natyralë, duke ofruar një zgjidhje që e ruan funksionin dhe estetikën në mënyrë afatgjate.
Portalb.mk: Cilat janë disa nga risitë më të fundit në fushën e endodoncisë që i keni integruar në praktikën tuaj të përditshme, dhe si ndihmojnë ato në përmirësimin e trajtimeve për pacientët?
Fitim Shabani: Në praktikën time kemi integruar të gjithë teknologjitë stomatologjike, ndër më të avancuarat si mikroskopët dentarë, CAD/CAM sistemin dhe përdorimin e materialeve bioaktiv që lehtësojnë rigjenerimin e indeve. Këto risi përmirësojnë saktësinë dhe efikasitetin e trajtimeve, reduktojnë kohën e rikuperimit dhe ofrojnë rezultate më të qëndrueshme për pacientët.
Portalb.mk: A mendoni se stomatologjia e mirëfilltë kërkon një përditësim të vazhdueshëm profesional? Si e zhvilloni veten në këtë aspekt?
Fitim Shabani: Pa dyshim! Stomatologjia është një fushë që ndryshon dhe përmirësohet vazhdimisht me zhvillimet teknologjike dhe kërkimore. Në këtë drejtim, unë ndjek rregullisht kurse, konferenca ndërkombëtare dhe lexoj literaturë të specializuar për të mbajtur njohuritë e mia gjithmonë të freskëta.
Portalb.mk: Jeni anëtar aktiv i platformës ndërkombëtare Style Italiano Endodontics si dhe pjesë e disa shoqatave prestigjioze, çfarë rëndësie ka për ju kjo pjesëmarrje dhe si ndikon ajo në cilësinë e trajtimeve që ofroni?
Fitim Shabani: Pjesëmarrja në këto platforma dhe shoqata më ofron mundësinë të jem në kontakt me ekspertë të fushës, të ndaj dhe të marr eksperienca të reja. Kjo më ndihmon të përmirësoj vazhdimisht standardet e trajtimeve të mia dhe të aplikoj teknikat më të mira në praktikë.
Portalb.mk: Si bashkautor i librit “Retreatments” dhe autor i projekteve si “Hapja e Kavitetit Endodontik” e artikujve ndërkombëtarë, a mund të na rrëfeni më në detaje për këto angazhime shkencore dhe çfarë mesazhi përcjellin ato në fushën tuaj?
Fitim Shabani: Këto angazhime shkencore reflektojnë përkushtimin tim ndaj avancimit të endodoncisë. Libri “Retreatments” synon të ofrojë zgjidhje të qarta për trajtimet komplekse, ndërsa projektet dhe artikujt mbështesin përhapjen e njohurive praktike dhe teorike që e bëjnë trajtimin më efektiv dhe të sigurt për pacientët.
Portalb.mk: Së fundmi po ndiqni studimet e avancuara të masterit në Universitetin e Cyrihut, në fushën e Parodontologjisë, Endodoncionit dhe Stomatologjisë restaurative. Si është përvoja juaj atje dhe çfarë e bën këtë avancim të veçantë?
Fitim Shabani: Përvoja në Universitetin e Cyrihut është jashtëzakonisht frymëzuese dhe sfiduese njëkohësisht. Ky program master ofron një kombinim unik të teorisë së avancuar, kërkimit shkencor dhe praktikës klinike në një mjedis shumë profesional dhe ndërkombëtar. Ajo që e bën këtë avancim të veçantë është niveli shumë i lartë akademik dhe teknologjik, si dhe mundësia për të punuar dhe mësuar nga ekspertë të njohur botërisht në fushat e Parodontologjisë, Endodoncisë dhe Stomatologjisë restaurative. Kjo përvojë më ndihmon të zgjeroj njohuritë dhe aftësitë, duke sjellë kështu benefite të mëdha për pacientët dhe për zhvillimin tim profesional në përgjithësi.
Portalb.mk: Duke qenë se keni përvojë profesionale edhe në Zvicër, si e shihni qasjen ndaj shëndetit oral atje në krahasim me realitetin në vendet tona?
Fitim Shabani: Në Zvicër perceptohet një nivel më i lartë ndërgjegjësimi dhe investimi në parandalimin e problemeve orale, gjë që reflektohet në cilësinë e shërbimeve dhe në kultivimin e një praktike stomatologjike shumë të mirëfilltë. Kjo më ka frymëzuar të sjell më shumë standarde dhe praktika të avancuara edhe në vendet tona, duke ofruar trajnime bazike dhe të avancuara me idenë dhe dëshirën që sado pak të kontribuoj në avancimin e stomatologjisë shqiptare.
Portalb.mk: Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që duan të specializohen në fusha të avancuara të stomatologjisë dhe të ndërtojnë një karrierë të suksesshme si e juaja?
Fitim Shabani: T’u këshilloja që të jenë të pasionuar dhe të vazhdojnë të mësojnë gjatë gjithë jetës. Një specialist i suksesshëm është ai që ndiqet nga kurioziteti, disiplinë dhe përkushtim ndaj pacientëve, dhe që investon në zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe personal.