Filmi “Era” u shpall fitues në Festivalin Evropian të Filmit në Shkup

Filmi “Era”, i realizuar nga regisorja Parta Kelmendi, ka triumfuar duke rrëmbyer vendin e parë në edicionin e 24-të të “Cinedays, Festival of European Film”, një prej ngjarjeve më prestigjioze të filmit në Shkup, shkruan Portalb.mk.

Juria vlerësoi cilësinë e veprës, duke theksuar se vendimi nuk ka qenë i lehtë, pasi këtë vit konkurrenca ishte e fortë me filma nga i gjithë rajoni i Evropës Juglindore, përfshirë Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Greqinë, që ofronin një larmi të gjerë qasjesh artistike dhe rrëfimesh filmike.

Anëtarja e jurisë, Ana Opaqiq theksoi se Kelmendi me anë të këtij filmi arrin të hapë dhe të mbyllë shumë dilema, duke e shtyrë shikuesin drejt reflektimit të thellë

“Filmi trajton ‘vjedhjen’ e rinisë në prag të luftës në Kosovë, një temë e ndjerë dhe pak e eksploruar, ndonëse gjatë viteve ’90 ishim dëshmitarë të shumë përvojave të tilla. Periudha e rritjes së tensioneve politike dhe shoqërore paraqet një sfidë të madhe artistike, madje edhe për autorë me përvojë, dhe rrallë është sjellë në mënyrë kaq të fuqishme në kinematografinë rajonale. Me dialog të kursyer dhe një qasje të saktë regjisoriale, Parta Kelmendi arrin të hapë dhe të mbyllë shumë dilema, duke e shtyrë shikuesin drejt reflektimit të thellë”, tha Opaqiq.

Fotografi nga xhirimet e filmit. Foto: Parta Kelmendi

Filmi “Era” është vlerësuar si një rrëfim i thellë dhe emocional që rikthen me delikatesë kujtimet e viteve ’90 në Kosovë. Vepra sjell në ekran një histori të fuqishme, të vendosur në periudhën e trazuar të okupimit, duke e paraqitur atë me një ndjeshmëri të veçantë artistike.

Përmes dilemave personale, tensioneve brenda familjes dhe përplasjes me rregullat e traditës, “Era” shtron në mënyrë të natyrshme pyetje të rëndësishme mbi identitetin, lirinë dhe zgjedhjet individuale. Filmi arrin të krijojë një atmosferë që e tërheq shikuesin, duke e bërë rrëfimin njëkohësisht intim dhe universalisht të kuptueshëm.

FilmaKultura shqiptareKulturë lajme