Në seancë ne fundit të Bordit Drejtues në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), u vendos që ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndaj Federatës, të mos mund të luajnë në sezonin e ardhshëm në Ligën e Parë ose të Dytë, transmeton Portalb.mk.
“Bordi Drejtues i FFM-së vendosi që klubet nga Liga e Parë e Futbollit të Maqedonisë që nuk do t’i shlyejnë detyrimet e tyre financiare ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë nuk do të kenë të drejtë të marrin pjesë në garë”, raportoi FFM-ja.
Federata sqaroi që klubet e Ligës së Dytë që kanë detyrime të papaguara, nuk do të mund të marrin pjesë as në shortin për sezonin e ardhshëm.
“Bordi Drejtues i FFM-së miratoi propozimin për përcaktimin e tarifave të regjistrimit për klubet pjesëmarrëse në Ligën e Parë dhe të Dytë të Futbollit të Maqedonisë për sezonin garues 2027/2028”, raportoi FFM-ja.
Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka caktuar datën e fillimit dhe mbarimit të kampionatit të Ligës së Parë për sezonin 2026/2027. Më 25 korrik pritet të fillojë sezoni i futbollit në Ligën e Parë, ndërsa pritet të mbarojë më 23 maj. Ekipet që do të luajnë këtë vit në Ligën e Parë janë: Shkëndija, Struga, Bashkimi, Arsimi, Shkëndija e Haraçinës, Vardari, Bregallnica, Skopje, Sileksi dhe Tikveshi.
Në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut do të garojnë dy ekipe shqiptare, Shkupi i eliminuar nga Liga e Parë, ndërsa Kamjani i kualifikuar nga Liga e Tretë. Ndeshjet do të fillojnë më 15 gusht.