Festivali i Animacionit Anibar në Kosovë: Kulturë rajonale dhe aktivizëm rinor

Në Pejë ka nisur edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar, duke bashkuar regjisorë, artistë, krijues të rinj dhe adhurues të animacionit nga Ballkani Perëndimor, Evropa dhe më gjerë, transmeton Portalb.mk.

Gjatë shtatë ditëve, festivali po prezantojë qindra filma të animuar, masterklasa, ekspozita, diskutime dhe aktivitete kulturore.

Shumë më tepër se një festë e filmit të animuar, Anibar është shndërruar në një platformë ku kreativiteti ndërthuret me angazhimin shoqëror, aktivizmin rinor dhe bashkëpunimin rajonal.

“Ne kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm në skenën kulturore lokale, si përmes përmbajtjes që krijojmë, ashtu edhe përmes strukturave, ideve dhe mundësive që kemi ndërtuar brenda komunitetit të animacionit”, thotë Vullnet Sanaja, themelues i Festivalit të Animacionit Anibar.

Ky vizion mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian, i cili përmes projektit “Fostering Sustainable Partnerships and Dialogue: Arts and Culture Collaboration between Kosovo and Serbia”.

Në bashkëpunim me WeBalkans, festivali organizoi tre punëtori për fëmijë të moshës 10–14 vjeç, të udhëhequra nga pesë Ambasadorë të Rinj Evropianë (Young European Ambassadors), si dhe një instalacion interaktiv lëvizës me lojëra dhe aktivitete të zhvilluara nga ambasadorët dhe mysafirët e festivalit.

“një kënaqësi e veçantë të udhëhiqja punëtorinë e Departamentit të Edukimit të Anibarit. Pjesëmarrësit u përfshinë aktivisht në diskutime mbi sfidat që hasin në sistemin arsimor. Edhe pse fokusi ishte te sfidat, ata propozuan menjëherë edhe zgjidhje, duke dëshmuar mendim kritik dhe aftësi udhëheqëse”, tha Ena Hajdarevic, Ambasadore e Re Evropiane nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Nëse shpresa do të kishte një tingull, ai do të ishte zëri i një salle plot me fëmijë që ndajnë idetë e tyre. Kjo punëtori dëshmoi se arsimi zhvillohet më mirë aty ku dëgjohet kureshtja dhe imagjinata është e lirë”, shtoi Esti Piranej, Ambasadore e Re Evropiane nga Shqipëria.

Një nga aktivitetet më të veçanta të festivalit ishte edhe punëtoria katërditore kreative, e organizuar me mbështetjen e WeBalkans, ku pjesëmarrësit e rinj kombinuan fotografinë, animacionin stop-motion dhe rrëfimin vizual.

“Festivali Anibar është shembull i fuqishëm se si mbështetja e Bashkimit Evropian për kulturën, industritë kreative, arsimin dhe rininë kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin lokal. Festivali tregon se si kreativiteti, animacioni, rrëfimi dhe angazhimi qytetar po ndihmojnë në formësimin e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. Mesazhi ynë për të rinjtë krijues është i qartë: kjo ka të bëjë me ju, kreativitetin tuaj, idetë tuaja dhe të ardhmen tuaj. Bashkimi Evropian qëndron pranë brezit të ri të krijuesve dhe rrëfimtarëve”, tha Raluca Costache, udhëheqëse e Programit WeBalkans.

Regjisori kosovar Durim Klaiqi vlerësoi rolin e festivalit në ndërtimin e urave të bashkëpunimit në rajon.

“Festivale si Anibar janë pika të rëndësishme të shkëmbimit kulturor, sidomos brenda rajonit. Ato krijojnë hapësirë për dialog përmes filmit, si për krijuesit ashtu edhe për publikun. Gjatë viteve, Anibari ka bërë një punë të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe promovimin e animacionit në Kosovë, duke e shndërruar njëkohësisht vendin në një destinacion për shumë kineastë dhe animatorë nga rajoni”.

Ndër pjesëmarrësit e këtij viti ishte edhe regjisori serb Vojin Vasoviq, i cili prezantoi serialin e tij të animuar “Nome Is an Island”, një histori që trajton dhunën mes bashkëmoshatarëve dhe ciklin e zemërimit që shpesh lind pas përjetimit të padrejtësive.

“Festivale si Anibar janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse janë bërë vende të rralla takimi për kineastët dhe publikun që vlerësojnë kinemanë e pavarur dhe atë autoriale. Vazhdimësia e festivalit dëshmon për qëndrueshmërinë e punës kreative në rajon, ndërsa njëkohësisht krijon një platformë të domosdoshme për filmat e animuar, të cilët vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuar në shpërndarjen tradicionale në Ballkan”, theksoi Vasoviq.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe iniciativës WeBalkans, festivali po krijon mundësi të reja që të rinjtë të mësojnë, të lidhen me njëri-tjetrin dhe t’i shndërrojnë idetë e tyre kreative në realitet.

 

Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.

Aktivizëm - AktivistBashkimi Evropian (BE)FestivalFestival i filmitKosovaTë rinj - Rini - Rinia