Sot shënohet Dita Botërore e Artit, një ditë që rikthen në vëmendje fuqinë e krijimtarisë, bukurinë e shprehjes artistike dhe rolin e artit në formësimin e shoqërisë. Kjo datë, e cila festohet në mbarë botën si simbol i frymëzimit, talentit dhe kulturës, vjen si një thirrje për ta parë artin jo vetëm si estetikë, por si gjuhë të shpirtit dhe si urë që lidh njerëzit me idetë, emocionet dhe identitetin e tyre, shkruan Portalb.mk.
Prodekania për arsim në Fakultetin e Arteve në Universitein e Tetovës, Jelldëz Asani, për Portalb.mk tha se arti nuk është vetëm profesion, por një mënyrë për ta kuptuar dhe për ta ndërtuar botën përreth nesh.
“Synojmë t’u japim të rinjve guximin për ta ndjekur pasionin e tyre dhe për të besuar se talenti, kur kultivohet me përkushtim, mund të shndërrohet në një rrugë të suksesshme jetësore”, tha Asani.
Sipas saj, shënimi i 15 Prillit si Dita Botërore e Artit ka rëndësi të veçantë sepse përmes kësaj veprimtarie krijohet hapësirë ndërveprimi mes studentëve dhe të rinjve që janë në prag të orientimit të tyre profesional.
Ajo theksoi se kjo ditë, e lidhur simbolikisht me figurën e Leonardo da Vinçit, festohet në mbarë botën dhe përbën një mundësi të mirë për promovimin e programeve studimore në artin dramatik, artin muzikor dhe artin figurativ, si dhe për prezantimin e arritjeve artistike të studentëve.
Me këtë rast, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës sot organizon disa punëtori artistike.
Dita Botërore e Artit festohet çdo vit më 15 prill për të përkujtuar ditëlindjen e Leonardo Da Vinçit, njeriu që ishte artist në gjithçka që bënte. Vendimi për vendosjen e Ditës Botërore të Artit erdhi në vitin 2012 nga UNESCO. Qëllimi i shënimit të kësaj dite është të promovojë nevojën për zhvillimin dhe përhapjen e artit.