Asfaltimi i rrugës Ropalcë – Novo Sellë mbetet premtim i parealizuar i kryetarit të Komunës së Likovës, Erkan Arifit. Ndërkaq, banorët ankohen se edhe disa rrugë të tjera janë të pa rregulluara dhe ndodhen në gjendje të keqe, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor “Tek e blerta” 2021–2025, Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, premtoi se përveç investimeve në arsim dhe kulturë, Komuna e Likovës do të angazhohet për infrastrukturë moderne.
Te pjesa zhvillimit infrastrukturë moderne konkretisht në faqe 8 thuhet:
“Asfaltimi i rrugës lokale Ropalcë – Novo Selle – vlera 200.000 euro”.
Por, tre vite e gjysmë më vonë prej kur Arifi u rizgjodh në krye të Komunës së Likovës, kjo nuk është realizuar në terren.
Portalb.mk vizitoi fshatin Ropalcë, të Komunës së Likovës, ku aty pamë se në disa lagje nuk ishte vendosur as edhe një copë plakë betoni.
Banorët e Ropalcës ankohen se shumica e rrugëve kanë mbetur të papërfunduara, dhe disa të tjera janë në gjendje katastrofale.
“Siç shihet shumica e rrugëve kanë mbetur në gjysmë, premtime sa të duash, por punë askund. Po të çoj te rruga ime, ku shihet se është një katastrofë, dhe jo pse unë jetoj atje, por sepse ku ka nevojë duhet të shtrohet. Ndërsa rruga Ropalcë – Novo Sellë është dashur moti kohë të rregullohet. Shembull: atje ku kryetari komunës ka të njohur, shkon, dhe bën fotografi, e dhe shihet se është e rregulluar, por në disa lagje nuk është punuar aspak, kjo është turp”, tha Fatmir Sulejmani.
Ai shtoi, se rrugët që nuk janë të shtruara me asfalt apo plaka betoni nuk po rregullohen, sepse ato lagje nuk e mbështesin Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), sipas tij, arsyeja është kjo: “unë nuk e kam votuar BDI-në, prandaj pse të ma shtrojnë rrugën?”, dhe dikush që është me këtë parti deri te dera e shtëpisë e ka asfaltin, kurse dikujt tjetër nuk ia shtrojnë as edhe një kilometër rrugë.
“Te kjo rrugë, secili banor që ka pasur plaka betoni e ka shtruar vetë pjesën e rrugës para shtëpisë së tij, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur e parregulluar,” tha një banor.
“Plakat e betonit janë vendosur këtu prej më shumë se një jave, por punimet ende nuk kanë filluar. Të gjithë e dimë se kjo lidhet me zgjedhjet, sepse gjithmonë pak para zgjedhjeve nisin me punë, ndërsa përndryshe kjo lagje ka vite që është lënë në harresë”, tha një banor tjetër.
Ndryshe, me 29 korrik 2025, rruga e vetme që u shtrua me pllaka betoni në fshatin Ropalcë ishte te familja Jashari.
Kurse, me 29 gusht 2025, disa banorë të Ropalcës reaguan për gjendjen e rrugëve përmes faqes së tyre në Facebook, duke theksuar se shumica e rrugëve janë të papërfunduara dhe se premtimet parazgjedhore të kryetarit të komunës, Erkan Arifit, nuk janë përmbushur.
Nga Komuna e Likovës theksuan se rrugët e mbetura të pa shtruara në Ropalcë do të shtrohen një nga një, sipas planit dinamik.
“Asfaltimi i rrugës Ropalcë – Novo Sellë, është pjesë e projektit të Komunës së Likovës, po ashtu edhe të Komunës së Kumanovës, urojmë që të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundur, nëse banorët e Novo Sellës japin leje që kjo të realizohet. Ndërsa sa i përket rrugicave të tjera në këtë fshat, ashtu si në fshatrat e tjerë do të shtrohen sipas planit dinamik dhe ata pak rrugica që kanë mbet pa u shtruar një pas një do të shtrohen”, thanë nga Komuna e Likovës.
Disa javë para zgjedhjeve, Komuna e Likovës u angazhua për rregullimin e disa pjesëve të rrugëve, ndërsa në disa lagje u bë shtrimi me pllaka betoni, dhe në disa rrugë vazhdojnë punimet.