Endometrioza duhet të trajtohet me kohë, nuk është normale të jetohet me dhimbje

Ndonëse shpesh perceptohet si sëmundje e rrallë, endrometrioza nuk është e tillë, ajo prek rreth 10 përqind të grave në moshë riprodhuese në nivel global, transmeton Portalb.mk.

Vlerësohet se rreth 190 milionë gra dhe vajza në moshë riprodhuese në botë preken nga kjo gjendje.

Nga Shoqata Maqedonase e Gjinekologëve dhe Obstetërve (MAGO) theksojnë se shumë gra jetojnë me endometriozë pa e ditur.

“Sëmundja shpesh mbetet ‘e fshehur’, sidomos te pacientet që për një kohë të gjatë durojnë dhimbje ose kanë vështirësi për të mbetur shtatzënë. Te gratë me infertilitet ose dhimbje kronike në legen, endometrioza haset shumë më shpesh sesa mendohet”, than nga MAGO.

Ata thonë se edhe pse nuk kemi shifra të sakta për vendin, është e qartë se bëhet fjalë për një nga sëmundjet më të shpeshta gjinekologjike dhe meriton më shumë vëmendje.

Sipas gjinekologëve, një nga problemet më të mëdha është diagnostikimi i vonuar, pasi shpesh duhen nga 6 deri në 10 vite nga simptomat e para deri te diagnostikimi. Kjo për shkak se Aimptomat shpesh konsiderohen si “normale”.

“Shumë vajza rriten me idenë se dhimbjet e forta menstruale janë të zakonshme dhe duhen duruar. Për këtë arsye, ato nuk kërkojnë ndihmë me kohë. Edhe në sistemin shëndetësor, ndonjëherë simptomat nuk identifikohen menjëherë si endometriozë”, thanë nga MAGO.

Gratë duhet të jenë të kujdesshme nëse kanë: dhimbje të forta gjatë menstruacioneve që pengojnë jetën e përditshme, dhimbje të vazhdueshme në legen, dhimbje gjatë marrëdhënieve ose vështirësi për të mbetur shtatzënë.

“Mesazhi është i qartë: dhimbja që të pengon të funksionosh normalisht, nuk është normale. Sa më herët të zbulohet, aq më të mira janë shanset për kontroll dhe për një cilësi më të mirë jete”, porosisin nga MAGO.

Endometrioza është sëmundje kronike, ku ind i ngjashëm me endometriumin (indi që vesh brendësinë e mitrës) rritet jashtë saj. Kjo shkakton inflamacion, dhimbje dhe ndonjëherë infertilitet.

Endometrioza nuk trashëgohet drejtpërdrejt si disa sëmundje të tjera, por ka komponent gjenetik. Kjo do të thotë se nëse nëna ose motra e ka këtë sëmundje, rreziku për pjesëtaret e tjera të familjes është më i lartë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sëmundja do të shfaqet patjetër. Ajo ndikohet nga shumë faktorë, si hormonet, sistemi imunitar, mënyra e jetesës dhe faktorë të tjerë mjedisorë.

Për këtë arsye, gratë me histori familjare duhet të jenë më të vëmendshme ndaj simptomave dhe të reagojnë në kohë. Zbulimi i hershëm bën diferencë të madhe. Trajtimet përfshijnë terapi me barna, terapi hormonale dhe ndërhyrje kirurgjikale, në varësi të simptomave dhe nevojave individuale të pacientes.

Ndryshe, muaji mars i kushtohet rritjes së ndërgjegjësimit për sëmundjen e endrometriozës.

Klinika e Gjinekologjisë - ShkupShëndetësi - Shëndeti