Emrat e rrugëve në Tetovë: Opozita kërkon vendim të ri në këshill, komuna thotë se do e shqyrtojnë kërkesën

Opozita kërkon që në seancën e së hënës të Këshillit Komunal të Tetovës të shtohet pikë në rendin e ditës për riemërimin e disa rrugëve, kreu i këshillit komunal thotë se kjo pikë do pranohet për shqyrtim, ndërsa do të vendosë shumica nëse do votohet ose jo, raporton Portalb.mk.

Kjo kërkesë vjen pas disa propozimeve të refuzuara të opozitës nga Komuna e Tetovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit.

Berat Murati, këshilltar i BDI-së tha se në rendin e ditës të seancës së 13 korrikut nuk është paraparë diskutim për emrat e rrugëve pavarësisht insistimit të tyre.

“Sot dorëzova kërkesë për plotësimin dhe ndryshimin e rendit të ditës, kërkuam që si pikë e parë e rendit të ditës të vendoset propozim-vendim për emërimin dhe riemërimin e rrugëve, shesheve dhe hapsirave publike në Komunën e Tetovës. Bëhet fjalë për gjithsej 67 rrugëve dhe sheshit të Tetovës, duke pasqyruar realitetin historik, duke respektuar të gjitha komunitetet etnike. Presim që menaxhmenti komunal ta pranojë këtë kërkesë”, tha Murati.

Kryetari i Këshillit Komnal, Jusuf Abuli tha se janë të informuar për këtë kërkesë.

“Të njëjtën kërkesë në atë seancë do ta shqyrtojmë bashkë edhe me këshilltarët e opozitës. Do t zhvillohet debat dhe pastaj do merret vendimi i shumicës. Sido që të jetë, këshilli komunal ka një komision për emërimin e rrugëve”, tha Abduli.

Kjo kërkesë pritet të diskutohet në seancë, por nuk pritet të merr mbështetjen e shumicës pasi nga Komuna e Tetovës thirren në procesin për riemërimin e rrugëve i cili tani e një kohë ka filluar në komunë, ndërsa brenda këtyre dy muajve pritet të ketë diçka më konkrete.

Kujtojmë se të shtunën BDI do të dalë për herën e dytë në protestë kundrë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të vitit 2007 të rrugëve dhe sheshit.

BDIEmrat e Institucioneve - RrugëveGjykata Kushtetuese RMVKëshilli KomunalKomuna e Tetovës