Eksodi që mund ta boshatisë shqiptarinë

Nëse ka një temë që duhet rrahur sot nga gjithë mediat dhe nga secili opinionist, nëse ka një shqetësim që duhet të alarmojë dhe të brengosë çdo njeri që dëshiron të jetojë dhe të vdesë aty ku i ka rënë koka, ajo është tema e shuarjes në këste trishtuese të trojeve tona. Kjo duhet të jetë kryetema e ditës, ajo që zhvesh, shfronëson e shpronëson politikanët e fjetur, që prej vitesh bëjnë sehir gjendjen e mjerueshme të jetës së të rinjve të papunë; politikanët hajdutë që po na shndërrojnë në apatridë; politikanët renegatë që e duan Shqiptarinë pa shqiptarë; politikanët tuxharë që bëjnë gjithçka për vete, por shumë pak për të ardhmen ndryshe të popullit të katandisur si kurrë më parë.

Dorën në zemër, ikin edhe të rinjtë e etnive të tjera, por askush nuk ikën si ne. Të dhënat flasin se përqindja e shqiptarëve që zhvendosen përgjithmonë në shtetet perëndimore është bindshëm më e lartë se ajo e të tjerëve përreth nesh. Dhe kjo nuk është, as nuk mund të jetë rastësi, sepse gjatë viteve të fundit nga shkollat e Shkupit, Tetovës, Gostivarit…, janë shpërngulur edhe mijëra  nxënës, bashkë me prindërit e tyre. Fatkeqësisht dhe për mjerim tonin, ata që duhet ta zbusin këtë tragjedi, e relativizojnë pa ndonjë argument të qëndrueshëm.

Nëse deri dje menduam se hyrja në BE do ta ndalë eksodin masiv të bijve tanë, hapat e ngadaltë të tranzicionit e tretën edhe këtë shpresë. Perëndimi nuk investon më në shkretëtira demografike, sepse kërkon ta zhvillojë vetveten. Ai është plakur dhe ka nevojë për përtëritje; ka nevojë për krah pune, ndaj merr kuadro të gatshëm – mjekë, motra medicinale, profesorë, inxhinierë, arkitektë, programues, mjeshtër zanatesh të ndryshme; merr bujqë e blegtorë; merr këdo që është i aftë për punë dhe që dëshiron të jetojë më mirë. Këtë e bën kryesisht me të rinjtë tanë, që janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo pune, vetëm për të shpëtuar nga jeta në mjerim.

Këtë fenomen të paparë që la vendin pa fuqi punëtore e kuptuan me vonesë pronarët bishtpërveshur shqiptarë. Ata tallën me vite të rinjtë që i punësonin në të zezë, që i detyronin të punonin pa ditë pushimi, që u jepnin paga fyese, që i trajtonin si skllevër dhe i përzinin nga puna në momentin që guxonin të kërkojnë rritjen e rrogës me ndonjë cent më shumë. Të tillët sot ngjisin kudo fletëza me oferta pune dhe mezi ia dalin të gjejnë punëtorë nga vendet e varfra aziatike dhe afrikane.

Në kësi rrethanash janë të pakumptimta dhe të palogjikshme apelet e politikanëve në stilin: “Mos e braktisni atdheun se do të bëhet mirë! Mos ua lini të tjerëve tokat e të parëve! Rrini këtu se ne mendojmë për ju!” e të tjera si këto, sepse ata që ikin nuk e bëjnë këtë për punë qejfi.

Mjerisht, situata është e ngjashme në të gjitha trojet shqiptare, ku qeverisja gjithashtu ka dështuar në punësimin e të rinjve në vende pune me paga që sigurojnë jetë normale. Janë me mijëra të rinj nga Kosova që kanë aplikuar për viza gjermane brenda viteve të fundit, sepse nuk jetohet me 300 euro në muaj. Në Shqipëri numri i të ikurve dhe i atyre që ikin çdo ditë është dhjetëra herë më i lartë, por edhe atje, si kudo tjetër, ndihet pafuqia për të ndërmarrë diçka serioze që do ta ndalte eksodin e tmerrshëm që mund ta boshatis pakthyeshëm Shqiptarinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit