Pas fluksit të lajmeve të trishta, për shkak të konflikteve dhe luftërave në botë, vëmendja e njerëzimit është përqendruar te Kampionati Botëror i Futbollit. A s’do të ishte mrekulli sikur, gjatë kohës sa zgjat Botërori, të ndalonin luftërat kudo në botë, siç ndalonin në lashtësi, derisa zhvilloheshin Lojërat Olimpike?
Botërori vazhdon. Luftërat nuk ndalen. Komentatorët sportivë shpesh përmendin fjalën “luftë”. Por lufta nuk është ndeshje futbolli. Ajo sjell vdekje, harrim dhe zi.
Në futboll ka humbës e fitues, por në fund askush nuk vdes. Të gjithë ndahen në paqe.
Futbolli është i bukur, sepse lojtarët humbës i këmbejnë fanellat me lojtarët fitues dhe bashkërisht i përshëndesin shikuesit. Fëmijët, si zgjatime hyjnore dhe shëmbëllesa të pafajësisë e të sinqeritetit, nuk frikësohen, nuk vriten, nuk mbeten jetimë; nënat nuk qajnë me kujë; gratë nuk ngelin të veja.
Ushtarët nuk janë futbollistë. Ata vrasin ose vriten duke mbrojtur vendin, ose për ambicie kryetarësh, diktatorësh apo eprorësh me grada më të larta.
Eprorët nuk janë trajnerë futbolli. Ata marrin urdhra dhe urdhërojnë të tjerët që të vrasin.
Luftërat nuk janë ndeshje futbolli, sepse në luftë prindërit i humbin fëmijët dhe fëmijët i humbin prindërit; nënat humbin bijtë e tyre; vashat humbin të dashurit.
Sporti i mashtron njerëzit se bëjnë luftë, por kur përfundon loja të gjithë kthehen në shtëpi dhe mendojnë për ndeshjen e ardhshme, ku nuk vdesin njerëz.
THIRRJA E ORIGJINËS shihet më mirë në stadiume. Miliona adhurues e duan fitoren e kombëtareve të tyre. Në këtë dashuri dhe adhurim s’ka asgjë të keqe, sepse duhet diçka pa kushtin që të urrehet diçka tjetër.
Futbolli nuk bëhet më i bukur dhe më joshës për shkak të teknologjisë së re, aq sa ka rrezik në të ardhmen edhe lojtarët të pajisen me aparatura. Futbollin e bën joshës pasioni, sakrifica për fitore, por edhe bashkimi i njerëzve.
Futbolli është i bukur sepse jep shembuj mbresëlënës protagonistësh që ndjekin ëndrrat e tyre me pasion e ngulmim.
NDJEKJA E ËNDRRËS. Vozinha, portieri i Kepit të Gjelbër, një vend me më pak se gjysmë milion banorë, u bë protagonisti i Botërorit. Kur sheh aftësitë e tij, e kupton atë që thuhet shpesh, se futbollisti duhet të ketë fat. Ka lojtarë mesatarë që u ka buzëqeshur fati dhe lojtarë të mirë që nuk u është shpërblyer mundi dhe talenti.
Ky portier, që punon si instruktor volejbolli, u rrit në varfëri. Qau për nënën, e cila për shkaqe financiare s’mundi të siguronte vizën amerikane. Por kurrë nuk është vonë për ata që ndjekin ëndrrën e tyre me ngulmim të çuditshëm.
Po aq mbresëlënës është rasti i futbollistit Yan Diomande, veçanërisht letra për motrën e ndjerë Roksana. Është letër mbi njeriun e varfër që ëndërron të arrijë në majën e lavdisë. Është letër për fëmijët që rrojnë në varfëri, por janë të lumtur brenda komunitetit të tyre. Sepse nuk është pasuria, por afërsia njerëzore që sjell lumturi.
“Nuk doja shtëpi të madhe dhe makina. Thjesht, doja t’i tregoja botës se motra ime kishte pasur të drejtë. Jemi në Kupën e Botës. Përnjëmend. Gjithmonë thoshte se mund të bëhesha më i mirë se Kristiano. Nëse e takoj Kristianon këtu, do ta përshëndes në emrin tënd. Të betohem se do ta bëj realitet parashikimin tënd. Para se të kisha këpucë të vërteta futbolli, thoshe: “Vëllai im do të bëhet më i miri në botë”. Do të dëshmoj se kishe të drejtë, ose do të vdes duke u përpjekur”, shkroi Diomande në përkujtimin për motrën që humbi jetën në rrethana të dyshimta si 15 – vjeçare.
Ja pse shpirtërisht jam me kombëtaret e vendeve të varfra, sepse arritën majat me sakrifica të mëdha. S’e kanë infrastrukturën e duhur sportive, por kanë pasionin dhe vullnetin e pashoq për të qenë në mesin e kombeve që futbollin e shohin më shumë si lojë dhe biznes. I adhuroj këto kombëtare, sepse i lumturojnë popujt që historia dhe jeta ua kursyen gëzimet…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.