Flavio Bolsonaro u arratis drejt SHBA-së pasi humbi zgjedhjet presidenciale në Brazil

Senatori brazilian Flavio Bolsonaro është larguar nga vendi dhe është nisur drejt SHBA-së pasi humbi zgjedhjet presidenciale të së dielës dhe nuk zbatoi urdhrin e Gjykatës Supreme për dorëzimin e pasaportave të tij, kanë bërë të ditur dy burime për Reuters.

Bolsonaro ishte favorit në zgjedhje pasi kryesoi në raundin e parë, por në fund humbi përballë presidentit aktual, Luiz Inácio Lula da Silva. Dje, atij iu dhanë 24 orë për t’i dorëzuar pasaportat si pjesë e një hetimi për pastrim parash. Ky afat tashmë ka përfunduar, duke çuar në anulimin e dokumenteve të tij.

Edhe babai i tij, Jair Bolsonaro, shkoi në SHBA pasi refuzoi ta pranonte humbjen ndaj Lulës në vitin 2022. Pas kthimit në Brazil, ai u dënua me 27 vjet burg për komplot për grusht shteti.

Një zyrtar i lartë i Policisë Federale të Brazilit deklaroi se Bolsonaro nuk ishte larguar nga vendi përmes asnjë pike të rregullt të kontrollit kufitar. Fillimisht u spekulua se ai ishte arratisur drejt Argjentinës.

Bolsonaro ishte tashmë nën hetim për korrupsion të dyshuar lidhur me financimin e një filmi për babanë e tij. Pavarësisht se mori 4,4 milionë vota më pak se Lula, Bolsonaro nuk e pranoi humbjen dhe kërkoi anulimin e zgjedhjeve.

BraziliShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)