“Duke pritur Godonë” vjen premierë në Kumanovë më 22 dhe 23 korrik

Shfaqja teatrore “Duke pritur Godonë”, e autorit të njohur Samuel Beckett, do të shfaqet premierë më 22 dhe 23 korrik, në orën 20:00, në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë shkruan Portalb.mk.

Shfaqja vjen nën regjinë e Qëndrim Rijanit, ndërsa në role paraqiten aktorët Musa Isufi, Sefedin Shabani, Blerim Ismani dhe Faton Gegu.

E mbështetur në veprën klasike të Beckett-it, shfaqja sjell një përshtatje skenike që e lidh universin dramatik të autorit me realitetin e vendit tonë nga pavarësia e deri më sot.

Duke u mbështetur në veprën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beckett-it, shfaqja është ndërtuar si një përshtatje skenike që e vendos universin dramatik të autorit në dialog të drejtpërdrejtë me realitetin që ka përjetuar vendi ynë që nga pavarësia e deri në ditët e sotme.

Pa cenuar thelbin filozofik të Beckett-it, situatat dhe rrethanat dramatike të krijuara prej tij janë përdorur si pikënisje për të ndërtuar një lexim të ri, të lidhur ngushtë me përvojën kolektive të shoqërisë sonë dhe me rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Në këtë koncept regjisorial është ruajtur me rigorozitet struktura e veprës, filozofia e saj dhe thellësia e dialogut. Teksti është trajtuar si një organizëm i gjallë, i cili vazhdon të komunikojë me kohën tonë, duke krijuar shtresa të reja kuptimore përgjatë një udhëtimi simbolik 26-vjeçar.

Në këtë përshtatje, Gogo dhe Didi nuk përfaqësojnë më vetëm dy qenie që presin, por shndërrohen në pasqyrë të stereotipit të politikanëve të vendit tonë gjatë 26 viteve të tranzicionit drejt ëndrrës evropiane. Ata jetojnë mes premtimeve, pritjes së pafundme dhe iluzionit të ndryshimit.

Përballë tyre, Poco ndërtohet si stereotipi i një komisioneri të Bashkimit Evropian, ndërsa Lucky si asistenti i tij, i ardhur nga një prej vendeve që tashmë ka përfunduar procesin e integrimit dhe është bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Marrëdhënia mes tyre krijon një metaforë të raportit të pushtetit, burokracisë dhe komunikimit shpesh të pabarabartë mes institucioneve evropiane dhe vendeve aspirante për anëtarësim.

Qëllimi kryesor i këtij koncepti është krijimi i një pasqyre artistike të realitetit me të cilin përballet populli i vendit tonë, ku pritja është shndërruar në një gjendje të përhershme ekzistence.

Paralelisht, një shtyllë po aq e rëndësishme e konceptit është përjetimi i aktorit. Loja dhe mjeshtëria interpretuese e ansamblit janë themeli mbi të cilin ndërtohet e gjithë shfaqja.

Aktorët nuk interpretojnë vetëm personazhe, por bëhen bartës të absurdit, kontradiktave dhe shpresës që përshkojnë tekstin e Beckett-it.

Në këtë mënyrë, përshtatja synon të krijojë një teatër ku klasikja dhe bashkëkohorja bashkëjetojnë natyrshëm, duke e ftuar publikun të reflektojë mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë.

Kultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatroreTeatri i Kumanovës