Dronë për të cilët dyshohet se janë rusë u rrëzuan gjatë natës në Rumani dhe Moldavi, në kohën kur po zhvillohet një sulm masiv dhe i vazhdueshëm me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, raportojnë mediat ukrainase.
Policia moldave, përmes një njoftimi në Facebook, bëri të ditur se një dron me elemente specifike të tipit “Gerbera”, të cilin e përdor Federata Ruse, është gjetur në rajonin e Florestit në vend.
Një dron tjetër ka shkelur hapësirën ajrore të Rumanisë për rreth katër minuta, para se të rrëzohej pranë Solkës, në qarkun Suçava, raportoi Digi24. Rumania nuk e akuzoi drejtpërdrejt Rusinë, por ministri në detyrë i Mbrojtjes, Radu Miruca, deklaroi për median se është e nevojshme t’i dërgohet protestë Moskës për shkak të incidentit.
Nuk ka raportime për viktima në asnjërin nga dy vendet.
Incidentet ndodhën në kulmin e një sulmi të zgjatur me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, ndërsa guvernatori i rajonit të Çernivcit, Ruslan Osipenko, deklaroi se armët ruse kishin në shënjestër infrastrukturën kufitare, veçanërisht pikat kufitare ndërkombëtare në kufirin ukrainas-rumun dhe ukrainas-moldav.
Dronët dhe raketat ruse gjatë muajve të fundit kanë shkelur rregullisht hapësirën ajrore të Rumanisë dhe Moldavisë.
Një dron për të cilin dyshohet se ishte rus, i tipit “Shahed”, i cili më 8 shtator shkeli hapësirën ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë, për pak sa nuk goditi avionin e presidentit Volodymyr Zelenskyy, ndërsa ai po ngrihej nga Moldavia.
Më 16 gusht, avionët luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron për të cilin dyshohet se ishte rus dhe që kishte shkelur hapësirën ajrore rumune pranë kufirit me Moldavinë – gjë që e konfirmoi ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruca. Ky ishte rasti i katërt i tillë i një droni të dyshuar rus që hyn në hapësirën ajrore të vendit këtë vit.
Një ditë më vonë, më 17 gusht, një raketë ruse lundruese “S8000 Banderol” hyri në hapësirën ajrore të Moldavisë gjatë sulmit rus ndaj Odesës, para se të rrëzohej në një fushë me misër rreth 3 kilometra nga fshati Talmaz, në rajonin moldav të Shtefan Vodës.