Zyrtarët doganorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë zbuluar 150 mijë funte britanike të padeklaruara gjatë kontrollit të një pasagjeri, shtetas i huaj, i cili po udhëtonte drejt Londrës, njoftoi Drejtoria e Doganave, transmeton Portalb.mk.
Paratë janë gjetur gjatë një kontrolli të rregullt dhe, sipas njoftimit, ato nuk ishin deklaruar në përputhje me detyrimet ligjore.
“Zyrtarët doganorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, gjatë kontrollit të një pasagjeri – shtetas i huaj – i cili po udhëtonte drejt Londrës, zbuluan 150 mijë funta britanike që nuk ishin deklaruar sipas detyrimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.
Në përputhje me Ligjin për operacionet valutore, pasagjerit i janë kthyer mjete në vlerë të barabartë me 10 mijë euro, ndërsa 141.315 funte britanike të mbetura janë mbajtur përkohësisht.
Kundër pasagjerit është paraqitur kallëzim për kundërvajtje.
Nga Drejtoria e Doganave theksojnë se institucioni vazhdimisht ndërmerr aktivitete për zbulimin dhe parandalimin e transferimit të paligjshëm ndërkufitar të parave të gatshme.
“Drejtoria e Doganave në vazhdimësi realizon aktivitete për zbulimin dhe parandalimin e transferimit të paligjshëm të parave përtej kufijve, duke kontribuar drejtpërdrejt në luftën kundër krimit financiar”, thuhet në njoftim.