Drejt marrëveshjes historike, Groenlanda pritet që të jetë në kontroll të përhershëm të SHBA-së

Mosmarrëveshja për Groenlandën duket se po i afrohet fundit. Javën e ardhshme pritet të nënshkruhet një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara,  njoftuan qeveritë e Danimarkës dhe Groenlandës, transmeton Dojçe Vele (DW).

Presidenti amerikan Donald Trump foli për një marrëveshje të përfunduar edhe para nënshkrimit të saj. “Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje me Mbretërinë e Danimarkës dhe Groenlandën, e cila i jep SHBA-së kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe të gjitha çështjet e tjera në Groenlandë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. Sipas Trumpit, SHBA-ja do të ketë të drejtën të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për mbrojtjen e ishullit.

Frederiksen: “E mirë për NATO-n dhe Evropën”

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen deklaroi se bëhet fjalë për një marrëveshje që “forcon sigurinë tonë të përbashkët në Arktik dhe në Atlantikun e Veriut dhe për këtë arsye është e mirë edhe për NATO-n dhe Evropën”. Qeveria e Danimarkës pret që marrëveshja të nënshkruhet javën e ardhshme gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Më pas, ajo duhet të kalojë procedurat parlamentare për të hyrë në fuqi.

Kreu i qeverisë së Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se marrëveshja “u shërben të gjithëve”. Ajo njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës, si dhe të drejtën e popullit të Groenlandës për vetëvendosje, shkroi ai. Pikërisht këtë formulim Nielsen dhe Frederiksen e kishin përdorur vazhdimisht gjatë kulmit të krizës së Groenlandës.

Mosmarrëveshje që zgjati me muaj

Gjatë muajve të fundit, Trump kishte ngritur pretendime ndaj Groenlandës, ishullit më të madh në botë. Presidenti amerikan e justifikonte këtë, ndër të tjera, me argumentin e sigurisë në Arktik dhe nuk e përjashtoi as përdorimin e forcës, nëse do të ishte e nevojshme. Deklaratat e tij shkaktuan kundërshtime të forta.

Groenlanda gëzon një shkallë të gjerë autonomie, por është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Të dyja palët kanë theksuar vazhdimisht se Groenlanda nuk është në shitje. Në janar të këtij viti, SHBA-ja, Danimarka dhe Groenlanda ngritën një grup pune të nivelit të lartë për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth ishullit në Atlantikun e Veriut.

Burimi i tekstit:

DanimarkaGrenlandaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)