“Dorëzoni telefonat, do të hulumtojmë”, FBI me operacion blic në Shtëpinë e Bardhë për rrjedhjen e informacionit

Shtëpia e Bardhë ka zhvilluar një hetim intensiv për të identifikuar burimin e rrjedhjes së informacionit mbi mangësitë e sigurisë së një avioni të dhuruar nga Katari, i destinuar të përdoret si Air Force One, raporton TopChannel. Sipas burimeve të CNN, disa zyrtarëve federalë u është kërkuar të dorëzojnë telefonat celularë për t’iu nënshtruar verifikimeve nga hetuesit.

Hetimi u drejtua nga shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, të cilët, sipas burimeve, koordinuan personalisht operacionin nga Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë. Patel thuhet se kaloi rreth shtatë orë në një zyrë pranë Wiles, ku u ngrit ajo që burimet e përshkruan si një “dhomë lufte” për menaxhimin e hetimit.

Sipas CNN, Presidenti Donald Trump ishte i zemëruar pas publikimit të informacioneve mbi shqetësimet e sigurisë së avionit të ri. Si rezultat, administrata ndërmori një hetim të gjerë për të zbuluar personat përgjegjës për rrjedhjen e informacionit.

Përveç kërkesës për telefonat celularë, hetuesit morën në pyetje dhe kërkuan informacione nga zyrtarë që kishin marrë pjesë në udhëtimet presidenciale ose ishin përfshirë në organizimin e tyre. Megjithatë, jo të gjithë pranuan të dorëzonin pajisjet e tyre.

Raportimet tregojnë se të paktën një agjenci federale u dërgoi punonjësve udhëzime që, nëse kontaktoheshin nga agjenci të tjera për informacion ose pajisje, të njoftonin menjëherë zyrën ligjore të institucionit.

Hetimi u bë publik pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë lëshoi fletëthirrje për katër gazetarë të gazetës The New York Times, të cilët kishin raportuar mbi shqetësimet e sigurisë që lidhen me avionin. Ky veprim është kritikuar nga organizatat për lirinë e shtypit dhe vetë gazeta, e cila ka njoftuar se do t’i kundërshtojë fletëthirrjet në gjykatë.

Në qendër të debatit është avioni Boeing 747, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, i dhuruar nga Katari për përdorim presidencial. Fillimisht, Trump kishte planifikuar ta përdorte gjatë një udhëtimi ndërkombëtar, por më pas u kthye në përdorimin e avionit më të vjetër presidencial.

Sipas burimeve të CNN, vlerësimet e sigurisë ndryshuan gjatë udhëtimit dhe u konstatua se avioni i ri, megjithëse ishte pajisur me disa sisteme mbrojtëse, nuk ofronte ende të njëjtin nivel sigurie si Air Force One ekzistues.

Burime nga ushtria dhe Shërbimi Sekret e kanë cilësuar avionin e ri si të futur në përdorim me nxitim, ndërsa avionët e rinj presidencialë të porositur më herët pritet të hyjnë në shërbim jo më parë se viti 2028, për shkak të instalimit të sistemeve të avancuara të komunikimit dhe mbrojtjes.

FBIShtëpia e Bardhë SHBAShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)