Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak, pas incidentit me objektet fluturuese ruse që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë gjatë sulmeve ndaj Ukrainës, shkruan Euronews.
Gjatë vizitës së tij në Varshavë, të shtunën, Rutte e cilësoi incidentin një ngjarje të rrezikshme, të lidhur drejtpërdrejt me luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës. Ai theksoi se autoritetet duhet të përcaktojnë me saktësi se çfarë ka ndodhur.
“Polonia është një aleat i fortë. Ju keni forca të armatosura të shkëlqyera dhe tani duhet të përcaktojmë me saktësi se çfarë ndodhi”, deklaroi Rutte.
Ai bëri të ditur se kishte qenë në kontakt që prej së premtes me kryeministrin polak Donald Tusk dhe presidentin Karol Nawrocki, pas incidentit ku tre objekte fluturuese, dy raketa dhe një dron, dyshohet se shkelën hapësirën ajrore polake.
Kreu i NATO-s njoftoi gjithashtu se komandanti suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, do të shqyrtojë pikat e dobëta të sistemeve të mbrojtjes dhe parandalimit të Aleancës, për të përcaktuar nëse nevojiten ndryshime.
“Do të bëhet gjithçka e mundur për të identifikuar saktësisht se ku ndodhen dobësitë në sistemin tonë të parandalimit dhe mbrojtjes, në mënyrë që, nëse është e nevojshme, të mund të bëhen ndryshimet përkatëse”, u shpreh Rutte, sipas agjencisë polake të lajmeve PAP.
Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk kishte deklaruar një ditë më parë se do t’i kërkonte NATO-s forcimin e mekanizmave të zbulimit dhe mbikëqyrjes së territorit polak, në kushtet kur Rusia vijon sulmet me raketa dhe dronë në Ukrainën perëndimore, pranë kufirit me Poloninë.
Tusk e cilësoi incidentin një provokim rus, duke theksuar se shkelja e hapësirës ajrore ndodhi në të njëjtën kohë me zhvillimin e stërvitjeve ushtarake të Koalicionit të të Gatshmëve në Poloni.
Edhe Instituti për Studimin e Luftës (ISW), me seli në Shtetet e Bashkuara, ka ngritur dyshime se shkelja mund të ketë qenë e qëllimshme. Sipas vlerësimit të institutit, forcat ruse mund të kenë synuar të përkonin incidentin me stërvitjet ushtarake në Nowa Dęba, me qëllim testimin e reagimit të NATO-s dhe frenimin e mbështetjes së aleatëve për Ukrainën.
Ndërkohë, të hënën pritet të zhvillohet në Bruksel një mbledhje e Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku do të diskutohet shkelja e hapësirës ajrore polake.