Doli në dritë libri “Brenga e breshkës”, autorja Vjollcë Berisha: Uroj që t’i prekë zemrat e vogëlushëve

Së fundmi doli në dritë libri për fëmijë “Brenga e breshkës” e autores Vjollcë Berisha. Në një intervistë për Portalb.mk autorja Vjollcë Berisha uron që “Brenga e Breshkës” t’i prekë zemrat e vogëlushëve dhe ta dashurojnë atë, ashtu siç di të dojë një fëmijë i çiltër dhe ta ndiejnë brengën e saj deri në shkallën e fashitjes së përqeshjes, bullizimit të njëri-tjetrit për cilëndo arsye.

Portalb.mk: Vjollcë na tregoni çfarë keni sjellë me librin “Brenga e Breshkës”?

Vjollcë Berisha: Libri “Brenga e breshkës” është një krijim i këndshëm për fëmijë, një poemë e gjatë, me një personazhe të ëmbël që ka një brengë: nuk dëshiron të shkojë në klasë të dytë. Kjo drojë e saj është krejtësisht e pakuptueshme nga pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët e njohin mirë zellin me të cilin ajo vogëlushe kishte vajtur në klasë të pare vitin e shkuar. Të gjithë bëhen tërë sy e veshë për të kuptuar se cila qe arsyeja e këtij ndryshimi. Derisa kuptojnë se kunadhja zemërzezë i është shfaqur në ëndërr dhe ia ka kujtuar se klasa e dytë do çantë me fletore e libra, e ajo e shkreta s’mund ta mbajë atë nga kërca e madhe që ka në shpinë…

Kështu zhvillohet një fabul interesante, me një gjuhë që jam përpjekur të jetë sa më e pasur si figurativisht, ashtu edhe në aspektin gjuhësor. Poema është shkruar me strofa katërvargëshe, të rimuara, me rimë të alternuar që mendoj se është rima më e dashur për fëmijët, të paktën ashtu ka qenë për mua gjatë gjithë fëmijërisë sime.

Përveç efektit stilistik, poetikës së librit, kam dashur që të zgjoj edhe temën e përqeshjes, përfoljes, ngacmimit si vese tepër të shëmtuara, e fatkeqësisht mjaft të pranishme edhe në mesin e fëmijëve. Kam dashur që ky debat të rrijë përherë hapur dhe unë të jap kontributin tim të vogël në trajtimin e kësaj teme, pasi jam thellësisht e bindur që një vjershëz e vogël, një fabul a një tregim janë më me ndikim për botën e fëmijëve sesa një mijë moralizime të stërgjata me këshilla. Tekstet letrare për fëmijë rëndom gjenerojnë tema të jashtëzakonshme për diskutim në klasë me mësueset, apo në shtëpi me prindërit e kujdestarët. Kjo është edhe magjia e letërsisë, dobia ose, thënë më mirë, njëra nga dobitë e leximeve të hershme të letërsisë për fëmijë.

Uroj që Brenga e breshkës sime t’i prekë zemrat e vogëlushëve dhe ta dashurojnë atë, ashtu siç di të dojë një fëmijë i çiltër dhe ta ndiejnë brengën e saj deri në shkallën e fashitjes së përqeshjes, bulizimit të njëri-tjetrit për cilëndo arsye. Ta kuptojnë se qeniet janë të ndryshme në botë dhe bukuria e saj qëndron mu te kjo mungesë njëtrajtësie, te kjo laryshi qenjesh të panumërta.

Portalb.mk: Është shumë e vështirë për të shkruar për fëmijë, ku e morët ju guximin?

Vjollcë Berisha: Po, e kam konstatuar edhe vetë shumë herë se është shumë më vështirë të marrësh guximin e të shkruash për lexuesin e vogël se për të rriturin. Përveç faktit që kjo sipërmarrje kërkon talent të veçantë, është edhe përgjegjësia shumë e madhe. Kësaj radhe ti po i shkruan një bote në formim e sipër dhe nuk ke fare të drejtë që të abuzosh me shijen e tyre. T’u japësh fëmijëve letërsi të keqe është si t’u japësh barna të skaduar, i helmon ata. Bota e fëmijëve është më e ndërlikuar nga ajo që e mendojmë. Është një botë me të gjithë receptorët ndezur. Nuk ka çfarë nuk përthithin ata receptorë dhe kjo e rrit marramenthi përgjegjësinë e shkrimtarit serioz.

Por, nga ana tjetër, një teksti i bukur, plot imagjinatë dhe i shkruar me stil është një dhuratë e jashtëzakonshme për fëmijët dhe një kontribut në fisnikërimin e shijes së tyre estetike që do t’i mbajë për tërë jetën.

Unë i’u rreka kësaj pune nga dashuria që kam për letërsinë dhe nga siguria që më jep sot e gjithë ditën fondi i librave të lexuar si fëmijë. Unë në shumë orë të ditës ndiej si më këndon nga brenda një vjershëtor i këndshëm nga ata që i adhuroja në fëmijëri e që më mbajnë prore të lidhur pas vetes. Ky fond i vargjeve të ëmbla ishte një platformë e sigurt ku mund të shkieja për të rendur rrugës së vështirë të krijimeve për fëmijë.

Portalb.mk: Mungojnë shumë librat për fëmijë, pse, ku qëndron problemi?

Vjollcë Berisha: Nuk do të kisha thënë se mungojnë librat për fëmijë. Ndoshta nuk janë ata që do të donim të ishin, por libra ka. Prindërit e sotëm edhe nëse vetë nuk lexojnë fare, prapë se prapë u blejnë fëmijëve të tyre libra, dëshirojnë që ata të jenë afër librit, ndonëse është shumë e vështirë ta shtyesh një fëmijë drejt një pune pa i dhënë shembull, e as leximi nuk bën përjashtim këtu. Sidoqoftë, këto blerje e shtojnë nevojën e botimit të librave dhe tani kemi shumë botues që botojnë libra për fëmijë, por kryesisht të përkthyer dhe me shumë ilustrime. Unë parapëlqej tekstin e pasur letrar kundrejt librave me ilustrime e me tekst të kursyer. Letërsia shqipe për fëmijë ka ngadalësuar hapin. Po botohen libra, por jo nga ata që meritojnë të qëndrojnë krah për krah në sistemin e vlerave me Agim Devën, Vehbi Kikajn, Odhise Grillon, Adelina Mamaqin, Gaqo Bushakën e një plejadë të tërë shkrimtarësh magjepsës për fëmijë që e kanë njohur, gërmuar dhe ndërtuar botën e brishtë të fëmijës.

Portalb.mk: Mendon që ky libër do ju sjellë dobi fëmijëve?

Vjollcë Berisha: Unë e dua këtë libër dhe e kam dhënë tërë mundin tim. Fjalën do ta thotë lexuesi. Do të doja shumë që të jetë i dashur për të.

Portalb.mk: Cilat janë librat e tuaj të tjerë pos këtij libri që tani sapo doli në dritë?

Vjollcë Berisha: Unë kam shkruar gjithmonë për fëmijë, qëkur kam qenë vetë fëmijë. Kam shkruar vjersha, tregime, ndonjë tekst kënge për të vegjël, por i kam botuar vetëm nëpër revistat e bukura që shpërndaheshin në shkollë atëbotë kur fëmijët s’e kishin të ndaluar ta blejnë letërsisnë në shkollë (ky është paradoksi i madhi shkollës sonë, frika nga libri. Shumë më lehtë mund t’u ofrosh çfarëdo tjetër shkollarëve, pos librit!!!).

Ndonëse shkruaja dhe lexoja letërsi për fëmijë, botoja vetëm për të rritur. Në listën e librave që kam botuar, përveç Breshkës janë edhe dy vëllime poetike, me përzgjedhje vjershash, nga ato më të mirat e leximeve të fëmijërisë, njëra titullohet “Një baba e gjysmë” dhe tjetra “Ma fal një lepur”. Brenga e Breshkës është tekst origjinal dhe kjo më jep shumë ndjenjë.

Portalb.mk: Do presim edhe botime të tjera nga ana e juaj se vërtetë po bëni një punë të madhe në këtë drejtim?

Vjollcë Berisha: Të jeni të sigurt se po. Përherë u kam shkuar deri në fund gjërave që dua.

Portalb.mk: Kush ju ka mbështetur?

Vjollcë Berisha: Mbështetësja ime kryesore në këtë projekt ka qenë e talentuara artiste Edona Aziri, e cila e ka ilustruar librin me figura si t’i kishte nxjerrë nga koka ime. Ajo mund të thuhet se është bashkautorja e Breshkës. E ka vizatuar aq bukur çdo situatë sa më merr malli ta shoh prapë e prapë. Ka diçka magjike në bashkëpunimin me Edonën e dashur, e cila i ka ilustruar edhe librat e tjerë që kam botuar, por edhe pothuajse të gjitha kopertinat e shtëpisë botuese “Syth”. Kam besim në artin e saj dhe na puqen yjet e kretivitetit, mund të them.

Ndihma tjetër më ka ardhur nga e tërë redaksia e shtëpisë botuese “Syth”, entuziazmi i të cilëve është për t’u admiruar kur flitet për librin, sidomos atë për fëmijë. Jam me fat që kam bashkëpunëtorë të tillë.

Albulenë Halili, mikja ime e shtrenjtë, një lexuese pasionante e letërsisë për fëmijë që në foshnjëri, është redaktorja e librit. Është e para që e ka lexuar me laps atë dhe nuk është kursyer për t’i dhënë sugjerimet e veta. Me të e kemi lexuar pothuajse të njëjtën letërsi për fëmijë dhe i rikujtojmë shpesh vargjet e njëjta që na kanë mbetur të paprekura në mendje nga vitet e vegjëlisë dhe mendova që ajo ishte më e qëlluara për ta bërë redakturën e librit me nuancat që i kërkoja unë për këtë libër. Jam e lumtur që e pranoi.

Xhemazije Rizvani, mikja ime e shterenjtë dhe ime motër Edvina Berisha qenë lexueset e para dhe aspak të lehta që ma rritën sigurinë e botimit. Tejet e sigurt në shijet e tyre letrare mund ta merrja pasaportën e fluturimit drejt lexuesve të vegjël. I falënderoj përzemërsisht për këtë.

Kolana e librave për fëmijë që mban emrin e bukur “Yllkat” në shtëpinë botuese “Syth” praktikon zakonisht që librat për fëmijë përveç filtrit redaktues të kenë edhe një recension joprofesional, por tepër të vlefshëm duke i konsultuar një a dy fëmijë që bëhen pjesë e ekipit redaktues të atij edicioni, te të cilët matet shkalla e interesimit, shkëlqimi i syve tek e dëgjojnë dhe komentet e jashtëzakonshme, tepër të vlefshme që e japin tek shikojnë ilustrimet apo tek dëgjojnë tekstin gjatë fazës së fundit të përgatitjes së librit për shtyp. Kësaj radhe ky i konsultuar qe im nip, djaloshi i ëmbël Nol Saliu. Mund të thuhet që libri e kaloi testin me lehtësi.

Portalb.mk: Kur do ta përuroni librin “Brenga e Breshkës”?

Vjollcë Berisha: Do të jem pafundësisht e gëzuar kur të kem para vetes fotografi fëmijësh tek lexojnë. I dua pa fund ata prindër që ma mundësojnë këtë kënaqësi. Ky do të jetë përurimi më i madh për mua. Përurimet pompoze nuk më pëlqejnë, por nëse marketingu i shtëpisë botuese do ta kërkonte një gjë të tillë, do ta organizoja me dëshirë dhe sa më parë.

Portalb.mk: Cili është mesazhi i juaj deri te krijuesit e tjerë?

Vjollcë Berisha: Le të mos i shqiten leximit. Libri e fisnikëron botën e tyre, i formon ata dhe gjithsesi i bën njerëz më të mirë, prandaj: Lexim, lexim, lexim…

Barazi gjinoreKultura shqiptareKulturë lajmeLibra