Doganierët grekë të hënën në grevë, pritje edhe më të gjata në pikat kufitare

Të hënën në mëngjes, doganierët grekë në pikat kufitare do të mbajnë grevë, gjë që pritet të rrisë edhe më tej radhët e gjata të krijuara tashmë për shkak të sistemit të ri të Bashkimit Evropian për hyrje dhe dalje (EES), transmeton Portalb.mk.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), greva do të zhvillohet nga ora 05:00 deri në 09:00, sipas orës së Maqedonisë.

“Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të marra nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e nëpunësve doganorë në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).

Në periudhën 05:00–09:00 sipas orës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas orës së Greqisë), në këto pika kufitare automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si në hyrje ashtu edhe në dalje nga Republika e Greqisë”, njoftoi policia e Maqedonisë.

Nga MPB bëjnë të ditur se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme dhe se do të angazhohen të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës.

GreqiaGrevaVendkalim kufitar