Dogana e RMV-së sekuestroi orë të shtrenjta “Apple”, u zëvendësuan me kopje, origjinalet përfunduan në shitje

Një skemë kontrabande me orë “Apple” është zbuluar në Shkup, ku një dyqan celularësh dyshohet se ka zëvendësuar produktet e sekuestruara me kopje të lira dhe ka nxjerrë origjinalet në shitje. Rasti është zbuluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga një ekip mobil doganor, gjatë kontrollit të një dërgese me tableta nga Dubai, njofton Portalb.mk.

Gjatë kontrollit, inspektorët kanë zbuluar 20 orë inteligjente që nuk ishin të deklaruara në dokumentacionin doganor.

Siç njoftojnë nga Dogana, orët janë sekuestruar dhe vendosur në kasafortë sigurie, por po atë ditë persona me qasje i zëvendësuan me kopje të lira, ndërsa origjinalet iu dorëzuan importuesit.

“Me urdhër të prokurorit publik, u krye kontroll në dyqanin celular, ku u gjetën orët origjinale me vlerë rreth 570 mijë denarë. Kundër gjashtë personave fizikë dhe dy juridikë është ngritur kallëzim penal për kontrabandë, fshehje mallrash dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, informojnë nga Dogana.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 janë realizuar mbi 8 mijë kontrolle doganore, ku janë evidentuar 271 raste sekuestrimi.

Drejtoria e doganave RMV