Po mbahet protesta e 119-të kundër qeverisë, ndërsa qytetarët vijuan marshimin në rrugët e Tiranës me pankarta dhe thirrje kundër kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe mazhorancës, transmeton BalkanWeb.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion”, “Arrestoni Ramën” dhe “Ju erdhi fundi”.
Protestuesit u shprehën të vendosur për të vijuar tubimet, duke e cilësuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si një nga kërkesat kryesore të tyre. Sipas tyre, protesta do të vazhdojë deri në adresimin e kërkesave të ngritura prej tyre.
Marshimi zhvillohet në një kohë kur debati politik është përqendruar te disa çështje dhe hetime të fundit që kanë prekur institucione të rëndësishme të shtetit.
Në qendër të vëmendjes është edhe çështja që lidhet me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, e cila është arrestuar në kuadër të një hetimi.
Në ditët e fundit janë bërë publike edhe komunikime të saj me Ergys Agasin, i cili gjithashtu është arrestuar dhe përballet me akuza nga organet e drejtësisë. Opozita ka ngritur gjithashtu pretendime për lidhje të tij me krimin e organizuar.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar tensionin në debatin politik, ndërsa protestuesit vijojnë të kërkojnë ndryshime dhe përgjegjësi institucionale.
Protesta e 119-të vijoi me marshimin e qytetarëve në Tiranë, ndërsa thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit shoqërojnë lëvizjen e tyre në rrugët e kryeqytetit.