Dezinformimi po bëhet një sfidë në rritje për proceset demokratike, kërkohet nevoja e përfshirjes së vendeve kandidate për BE në Mburojën Demokratike Evropiane

Dezinformimi, ndikimi i informacionit të huaj dhe keqpërdorimi i inteligjencës artificiale po i sfidojnë gjithnjë e më shumë proceset demokratike në Evropë. Prandaj, është thelbësore që vendet kandidate për anëtarësim në BE të përfshihen sa më shumë në mburojën demokratike evropiane. Kjo u theksua në ngjarjen me titull “Ndërtimi i rezistencës ndaj manipulimit zgjedhor të informacionit”, e cila përfshiu një dialog me palët e interesuara dhe një seminar që simulonte një sulm informativ gjatë zgjedhjeve. Ngjarja u organizua nga Fondacioni Metamorfozis, së bashku me International IDEA, në kuadër të projektit “Trajtimi i Manipulimit të Informacionit të Lidhur me Zgjedhjet dhe Ndikimit të Huaj”, i mbështetur nga Global Affairs Canada, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk 

Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit theksuan se nevoja për një qasje të përbashkët evropiane ndaj sigurisë së informacionit po bëhet gjithnjë e më urgjente, veçanërisht në kontekstin e proceseve zgjedhore dhe përdorimit në rritje të mjeteve të manipulimit digjital. 

Rob van Beek, nga Aleanca Evropiane e Besimit nga Holanda, vuri në dukje se inteligjenca artificiale është një faktor kyç si në përhapjen, ashtu edhe në luftimin e dezinformimit. Ai theksoi se kjo aleancë punon për forcimin e zgjidhjeve dhe rritjen e rezistencës së sistemeve informative në Evropë. 

“Të gjithë e njohim Bellingcat-in, një nga organizatat më të njohura ndërkombëtare për gazetari hulumtuese dhe verifikim faktesh, e cila bashkëpunon me ne. Qëllimi është lidhja e vendeve të Ballkanit Perëndimor me iniciativat evropiane në fushën e edukimit mediatik, demokracisë dhe zhvillimit teknologjik. Sa i përket FIMI-t (Ndërhyrja e Huaj dhe Manipulimi i Informacionit), ndikimet e huaja informative paraqesin një sfidë serioze për sigurinë, ndërsa media luan rol kyç në ruajtjen e proceseve demokratike”, tha van Beek. 

Clemens Longley nga EFCSN dhe Mindaugas Lashas nga Ministria e Punëve të Jashtme e Lituanisë Foto: Meta.mk

Mindaugas Lasas nga Ministria e Jashtme e Lituanisë, theksoi se vendi i tij përballet me “kërcënime jo-ushtarake”, si dezinformimi dhe sulmet kibernetike, të cilat janë pjesë e rreziqeve moderne hibride. 

“Nëse kundërshtari nuk mund t’i arrijë qëllimet e tij me mjete ushtarake, atëherë përdoren metoda jo-ushtarake”, tha ai, duke shtuar se Lituania ka krijuar një sistem institucional dhe algoritme për reagim të shpejtë në rastet e dezinformimit masiv. 

Lasas theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile dhe rritjes së nivelit të edukimit mediatik tek qytetarët, si dhe faktin se dezinformimi në rrjetet sociale shpesh nuk kriminalizohet, gjë që e vështirëson luftimin e tij. 

Clemence Longley, nga Rrjeti Evropian i Standardeve për Verifikimin e Fakteve (EFCSN), vuri në dukje se puna e verifikuesve të fakteve po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe më e kushtueshme, por edhe më e rëndësishme. Ajo theksoi se rrjeti po zhvillon baza të dhënash me fakte të verifikuara dhe mekanizma për reagim të shpejtë në situata krize, kur valët e dezinformimit mund të intensifikohen papritur. 

“Ne kemi projekte në vazhdim dhe një depo me fakte të verifikuara, raportet e së cilës do t’u shpërndahen të gjitha shteteve anëtare. Synimi ynë është krijimi i mekanizmave të krizës, sepse në kohë krizash mund të ketë valë të manipulimit të informacionit, ndaj verifikuesit e fakteve duhet të kenë mbështetje të menjëhershme. Ky rrjet sjell shumë përfitime dhe kemi marrë mbështetje të madhe nga institucionet e BE-së. Verifikuesit tanë të fakteve përballen me sfida të shumta”, tha ajo. 

Daniel Proni, Faktoje | Foto: Meta.mk

Përfaqësuesi i organizatës shqiptare për verifikimin e fakteve “Faktoje”, Daniel Proni, paralajmëroi se dezinformimi në Shqipëri vjen më shpesh nga aktorë vendas sesa nga ndikime të huaja. Ai theksoi se gjatë fushatave zgjedhore është vërejtur rritje e përdorimit të botëve dhe inteligjencës artificiale për manipulimin e opinionit publik, si dhe ekzistenca e një numri të madh portalesh mediatike pa strukturë të qartë pronësie. 

“Puna e verifikimit të fakteve po bëhet gjithnjë e më e vështirë në një mjedis të tillë mediatik”, tha ai, duke shtuar se zgjidhjet e reja ligjore në Shqipëri do të zbatohen gradualisht dhe do të përfshijnë mekanizma të rinj të koordinimit digjital. 

Në vazhdim të aktivitetit u mbajt një seminar, ku morën pjesë rreth 20 përfaqësues të sektorit civil. Në kuadër të seminarit, për herë të parë në vend u realizua një simulim i një sulmi informativ gjatë zgjedhjeve, ku pjesëmarrësit kishin për detyrë të bënin një vlerësim të shpejtë të dëmit dhe t’u përgjigjeshin si publikut, ashtu edhe kërkesave të institucioneve kompetente me qëllim reagimin e shpejtë dhe të saktë. 

Ngjarja e organizuar nga Fondacioni “Metamorphosis” dhe International IDEA u zhvillua në kuadër të projektit “Ballafaqimi me manipulimet informative të lidhura me zgjedhjet dhe ndikimin e huaj”, i mbështetur nga Global Affairs Canada.

  • LEXO: Dezinformimi po bëhet një sfidë në rritje për proceset demokratike, kërkohet nevoja e përfshirjes së vendeve kandidate për BE në Mburojën Demokratike Evropiane
Faktoje.alFIMI ndikimi i huaj dezinformataFondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)