Deponia e Rusinos mori mekanizim të ri me vlerë 1.1 milion euro

Qendra rajonale Rusino mori sot makineri të reja me vlerë 1.1 milion euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Makineritë e reja do të rrisin kapacitetin operativ të deponisë dhe do të prezantojnë standarde moderne në operacionet e përditshme, transmeton Portalb.mk.

Faza tjetër parashikon investim prej rreth 14 milion eurosh për rehabilitimin dhe zgjerimin e deponisë, që përfshin ndërtimin e qelive të reja deponike, një sistem menaxhimi të rrjedhjeve dhe biogazit dhe mbylljen e deponisë ekzistuese.

Ky aktivitet, sipas Ministrit të Mjedisit, Muamet Hoxha, është pjesë e një investimi më të gjerë prej 55 milion eurosh që ka nisur reformën më të madhe të infrastrukturës në sektorin e mbeturinave në vend.

“Sistemi modern rajonal i mbeturinave do të thotë fund i improvizimeve dhe zgjidhje e përhershme për problemin që i ka munduar qytetarët për dekada të tëra”, tha Hoxha, në prezantimin e makinerive të reja.

Të gjitha investimet do të sigurojnë përputhshmëri të plotë me standardet evropiane dhe krijimin e një sistemi modern rajonal, që do të thotë fund i deponive të paligjshme dhe një mjedis më të pastër për qytetarët e Pollogut.

Ndryshe, pas disa shkeljeve të afateve dhe zvarritjeve të procedurave, tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale në Pollog nuk është shpallur ende, ndërsa nuk ka ende afat se kur do të shpallet i njëjti.

Tenderi ishte planifikuar të shpallej në shtator 2025 por nuk u bë, ndërsa nga Ministria e Mjedisit në nëntor 2025 thanë se i njëjti pritet të shpallet brenda gjashtë muajve. Sot, tre muaj më vonë, tenderi nuk është shpallur ende.

Tenderi për ndërtimin e deponisë moderne në Pollog dhe në rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor vazhdimisht janë shtyrë dhe afatet kanë ndryshuar. Ndërsa sipas planifikimeve pritet që deri në vitin 2027 këto deponi të jenë të kompletuara dhe në vihen në funksion.

Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

Deponi rajonaleDeponia Rusino - RusinëMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)