Në deponin rajonale Rusino, do të investohen mbi 1.1 milion euro investime përmes furnizime të ndryshme nga Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, transmeton Portalb.mk.
“Me kontratën, me një vlerë të përgjithshme prej 1.142.200 euro, do të furnizohet mekanizëm i plotë i domosdoshëm për menaxhim modern dhe të sigurt të mbeturinave – duke përfshirë kompaktor, ngarkues, traktor me rimorkio për ujë, kamion dhe pjesë rezervë”, njoftuan nga Ministria për mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor.
Kjo Ministri sot ka nënshkruar kontratën për furnizimin me mekanizma special për nevojat e deponisë në kuadër të Projektit rajonal për menaxhimin e mbeturinave të ngurta.
Ndryshe, Rajoni i Pollogut pritet që në vitin 2027 të ketë deponi moderne rajonale sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Hapja e tenderit për këtë projekt vazhdimisht është zvarritur, ndërsa e njëjta pritet të publikohet në shtator të këtij viti, pasi Qeveria e RMV-së para pak ditëve e miratoi ndërtimin e kësaj deponie. Tenderët për ndërtimin e deponisë moderne në Pollog dhe në rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor vazhdimisht janë shtyrë dhe afatet kanë ndryshuar.
Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.