Në organizim të përbashkët të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe NATO-s, më 4-5 nëntor 2024, në selinë e Aleancës në Bruksel është mbajtur mbledhja e rregullt për deputetët e sapo zgjedhur. Në mbledhje morën pjesë deputetët nga 9 vendet anëtare dhe 5 delegacionet asociative, të cilat për herë të parë janë pjesë e organeve të Asamblesë Parlamentare, duke përfshirë edhe Delegacionin e Kuvendit të përbërë nga: Dragan Kovaçki – shef i Delegacionit në AP të NATO-s, Bekim Sali dhe Sllavjanka Petrovska – anëtarë të Delegacionit, transmeton Portalb.mk.
“Ngjarja paraqеt mundësi unike për pjesëmarrësit që të informohen për funksionimin dhe bashkëpunimin ndërmjet pjesës parlamentare dhe qeveritare të Aleancës, si dhe për prioritetet aktuale, politikat dhe sfidat e ardhshme përpara Samitit të NATO-s në Hagë vitin e ardhshëm. U përshëndet investimi i konsiderueshëm dhe shpërndarja e fondeve në fushën e mbrojtjes nga të gjitha vendet anëtare, me potencial për të vazhduar rritjen në vitet në vijim. Në veçanti, u theksua nevoja për komunikim të vazhdueshëm ndërmjet vendeve anëtare, koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta, si dhe rritja e bashkëpunimit me industrinë, si vendimtare për veprim sa më të suksesshëm të tyre”, informon Kuvendi i RMV-së.
Të pranishmit ranë dakord që mbrojtja e vlerave universale të vazhdojë pa kushte edhe në të ardhmen. Në këtë kontekst u shkëmbyen mendime për situatën në Ukrainë, por edhe për zhvillimet në Lindjen e Afërt, Mesdhe, Ballkanin Perëndimor, Veriun e Afrikës dhe Indo-Paqësorin. Sa u përket sfidave të ardhshme, vëmendje e veçantë iu kushtua shkëmbimit të informacioneve dhe përvojave rreth përdorimit dhe investimit në inteligjencën artificiale, kozmosin, forcimin e rezistencës dhe parandalimin e sulmeve hibride dhe kibernetike, keqpërdorimit të dezinformatave dhe manipulimit të informacioneve për qëllime politike dhe të tjera, si dhe për ripërkufizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me vendet e treta.
AP-ja e NATO-s është asamble parlamentare multilaterale e themeluar në vitin 1955 si asamble konsultative e NATO-s dhe sot ajo bashkon 281 parlamentarë nga 32 vendet anëtare të NATO-s, delegacione asociative, partnerë rajonalë dhe mesdhetarë, delegacione me status vëzhguesi (përfshirë AP të OSBE-së dhe AP të Këshillit të Evropës), si dhe delegacionin special nga Parlamenti Evropian. Asambleja vendos lidhje thelbësore midis NATO-s dhe parlamenteve të vendeve të NATO-s, siguron transparencë më të madhe të politikave të NATO-s dhe kontribuon në forcimin e vlerave transatlantike të Aleancës.