‘CrossRoadsFest 2025’, për herë të parë ndriçon Hanin e Elezit me ngjyra kulture dhe arti

Sonte me fillim nga ora 20:30, në vendin simbolik të Memorialit “Bllaca 99” në Hanin e Elezit, për herë të parë, do të mbahet CrossRoadsFest 2025, një festival ndërkombëtar kulturor që do të zhvillohet nga 18 deri më 20 korrik 2025, shkruan Portalb.mk.

Ky festival organizohet nga Shoqata e Gruas “DUA”, CrossRoadsFest, e cila synon të shndërrojë kufirin në një pikë bashkimi, duke lidhur kultura, histori dhe komunitete përmes artit dhe krijimtarisë.

Në kuadër të festivalit CrossRoads, vjen një performancë e veçantë audio-vizuale: “Tingujt e Horizontit”, një udhëtim ndjesor ku drita dhe muzika bashkëjetojnë në një krijim të përbashkët artistik.

Florian Çanga dhe Alzan Gashi sjellin veprën “I Pari Ishte Tingulli”, një performancë audio-vizuale mbi muret e fabrikës së Sharrcem.

Artisti Florian Çanga për Portalb.mk tha se tingujt e pianos përkthehen në gjuhën e ngjyrave dhe dritës, duke i dhënë formë të re ndjesisë muzikore dhe hapësirës industriale.

“Perfomanca “Tingujt e Horizontit”, ka të bëjë më mënyrën se horizonti është një gradinë shumë e bukur ngjyrash dhe ngjyrat janë të ndryshme kur ky horizont është në det dhe kur është mes malesh. Dhe duke pasur parasyshë horizontin e Kosovës i cili gardeti i ngjyrave është më i mprehtë, më i prerë, mendova që të bëjë një instalacion drite që ka të bëjë me një platformë të rrumbullakët, e njëjtë si ato antenat e dikurshme të televizionit që ne përdornim për të marrë sinjalet e televizionit, po tani ne i japim nëpërmjet dritës. Është një koncept që ne marrim tingujt, këto tinguj i përkthejmë në dritë, duke përdorur burimin e dritës dhe elementet reflective, dhe këto janë ngjyra pak a shumë që i afrohen horizontit. Repertuori është zgjedhur, repertuor kryesisht modern, tre pjesët e huaja janë moderne dhe një pjesë klasike shqiptare që ka një trajtim modern në interpretimin e pianos”, tha Çanga.

Foto nga vepra “I Pari Ishte Tingulli”, një performancë audio-vizuale mbi muret e fabrikës Sharrcem. Foto: Portalb.mk

Ai edhe më tej shtoi se kultura e dritës, kultura e diellit, është një kulturë univerzale që të githë njerëzit kanë përjetime të njejta në raport me atë.

“Mesazhi është që drita është një kulturë universale, në dallim nga zëri, apo letërsia, shkrimi, narrativa të themi orale, drita është një kulturë universale, pra të gjithë njerëzit në të gjithë botën shikojnë të njetin përedim, shikojnë të njetën hënë, shikojnë të njejtin qiell. Dhe në dallim nga kultura e shkrimit që janë kultura lokale, pra çdo fshat, çdo qytet ka këngët e veta, kostumet e veta, ka rrëfimet e veta. Kultura e dritës, kultura e diellit, është një kulturë univerzale që të githë njerëzit kanë përjetime të njejta në raport me atë, ky është mesazhi”, tha Çanga.

Foto nga vepra “I Pari Ishte Tingulli”, një performancë audio-vizuale mbi muret e fabrikës Sharrcem. Foto: Portalb.mk

Gjatë tri netëve radhazi, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program të larmishëm artistik me performanca nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, punëtori, hiking, muzikë, poezi dhe shumë aktivitete të tjera kreative.

Festivali do të zhvillohet në disa prej lokacioneve kyçe të komunës, përfshirë Qendrën Kulturore “Imri Curri”, Parkun “Te Pishat”,fshatin Goranc, Hapësirën e Parkimit të Komunës, si dhe Memorialin “Bllaca 99”.

Afishja e Festivalit ‘CrossRoadsFest 2025’. Foto: Nora Ballazhi (Facebook)
BllacaFestivalKosovaKultura shqiptareKulturë lajme