Të premten, më 23.10.2026, gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës kanë rënë në pranga nëntë persona, transmeton Kallxo.com.
Sipas forcave të rendit, ata dyshohen për veprën penale “Mashtrimi”.
Të njëjtit, sipas Policisë, përmes qendrave të thirrjeve kanë kryer veprën penale.
“Janë arrestuar 7 meshkuj dhe 2 femra, 6 prej tyre kosovarë dhe 3 shtetas të Gjermanisë, të cilët në bashkëveprim me njëri-tjetrin përmes qendrave të thirrjeve kanë zhvilluar aktivitet kriminal” – thuhet në njoftim.
“Të dyshuarit në pajisjet e tyre kompjuterike kanë poseduar të dhëna të shtetasve të huaj të cilët i kanë kontaktuar dhe mashtruar. Janë kontrolluar 4 lokacione ku janë gjetur dhe konfiskuar 39 kompjuterë, 5 telefona celularë, 12 memorie (HDD) të jashtme, një veturë, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane” – thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.