Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Kërçovës garojnë katër kandidatë, kryetari aktual i komunës Fatmir Dehari nga AKI, ministri i Politikës Sociale Fatmir Limani nga VLEN, Aleksandar Jovanovski nga VMRO-DPMNE dhe Shkodran Alili i pavarur. Në Komunën e Kërçovës në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 51,016 qytetarë. Portalb.mk ka analizuar premtimet e kandidatëve nga dy koalicionet AKi dhe VLEN nga programet e tyre. Kandidati i pavarur nuk ia dërgoi redaksisë programin e tij, pavarësisht kërkesave tona.
Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 20.5% mjedisin (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 20.2% korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito), me 17% infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 15.7% shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), 14.1% arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit) dhe 12.5% të tjera.
Infrastruktura
Premtimet e Fatmir Deharit në programin zgjedhor për infrastrukturën:
Plane urbanistike për fshatra. Inventarizim i aseteve (rrugë, ura, ndriçim, parqe, rrjete ujësjellës/ kanalizim). Projekte urbanistike për zonat atraktive turistike. Program 4-vjeçar i mirëmbajtjes: rindërtime rrugësh sipas prioritetit siguri, qarkullim, akses, fshati Berikovë dhe Qafa, fshati Prapadisht, Manastiri “Bogorodica, e Pastërta”, lokaliteti “Krushinë”, lokaliteti “ Dardha”. Rruga Biçincë, Strellcë (Garanë). Rruga Çelopek – Rabetin. Rruga nga spitali i qytetit, rruga rajonale për në Prilep. Rregullimi i lagjes së re “Zagorje”. Rregullimi i rrugës “Rudniçka”. Rrjeti i kanalizimit në fshatin Tuhin. Rrjeti i kanalizimit në fshatin Kollarë. Përmirësimi i rrjeteve të ujësjellësve nëpër vendbanimet rurale – klorifikimi i ujit të pijshëm. Menaxhimi i ujërave të zeza me stacione të vogla ku është e domosdoshme Ndërtimi i shtigjeve për këmbësorët. Shtigje biçikletash në akset kryesore; korsi të sigurta këmbësorësh dhe sinjalistikë moderne. Sinjalizimi horizontal dhe vertikal në komunikacion. Përmirësimi i infrastrukturës për personat me nevoja të posaçme. Rregullimi i rrugëve në tokat bujqësore. Përmirësimi dhe mirëmbajtja e rrugëve urbane. Ndërtimi i ndriçimit publik “Smart light” në tërë territorin e Komunës së Kërçovës. Planifikimi i vendparkimeve zonale me pagesë. Smart City.
Premtimet e Fatmir Limanit në programin zgjedhor për infrastrukturën:
Hartim dhe miratim të Planit Gjeneral Urbanistik brenda 2 viteve. Zbatim të planeve detale urbanistike pa shtrembërime. Investime në rrugë të reja, trotuare, parkingje publike, ndriçim dhe shtigje rekreative. Zgjidhje definitive e problemit të ujit të pijshëm deri në vitin 2029, për të gjitha vendbanimet. Rrjet të kanalizimit për çdo vendbanim me mbi 200 banorë. Ndërtim urash, rrethrrotullimesh, tregun e gjelbër, lokacion të ri të tregut të kafshëve.
Mjedisi jetësor
Premtimet e Fatmir Deharit:
Zgjidhja e problemit me deponinë komomunale- remeditim dhe lokacion të përhershëm në bashkëpunim me rajonin Jug-Perëndimor. Përmbyllja e rrjeteve te kanalizimit fekal – bartja deri te stacioni filtrues për pastrimin e ujërave të zeza “Kolektori”, tashmë realitet në Komunën e Kërçovës. projekt i mbështetur nga Qeveria dhe Ministria e Ekologjisë. Faza e dytë për bartjen e kanalizimit fekal nga fshatrat e rretheve dhe Zajazit. Selektimi individual i mbeturinave në çdo fshat. Mbjellja e fidanëve nëpër vendbanime rurale dhe urbane. Pyllëzimi në vendet malore – fidane të reja. Subvencionim për ndërrimin e sistemit për ngrohje dimërore. Pastrimin e shtretërve të lumenjve nga hedhurinat komunale dhe inertet. Pastrimin e deponive ilegale. Subvencionimi i fotovoltaikëve për objektet e banimit dhe atyre publik për efikasitet energjetik. Zgjerimin e hapësirave të gjelbërta. Subvencionim për blerjen e trotineteve elektrikë dhe biçikletave. Ndryshimin e mënyrës së ngrohjes qendrore në objektet publike. Pastrimin dhe dezinfektimin e pishinave për ujë të pijshëm.
Premtimet e Fatmir Limanit:
Menaxhimi i mbeturinave: Mbyllja dhe rehabilitimi i deponive ilegale, krijimi i sistemit modern për mbledhjen, transportin dhe riciklimin e mbeturinave. Ujërat e zeza: Funksionalizimi i plotë i stacionit filtrues dhe përmirësimi i rrjetit të kanalizimit, për përpunimin e ujërave të ndotura sipas standardeve evropiane. Parqe dhe hapësira gjelbërimi: Themelimi i ndërmarrjes për parqe, mbjellja dhe mirëmbajtja e gjelbërimit, krijimi i këndeve të lojës dhe shëtitoreve pranë lumenjve. Qentë endacak: Ndërtimi i strehimoreve, vaksinim dhe sterilizim, adoptime të kontrolluara dhe fushata ndërgjegjësimi.
Transparenca dhe llogaridhënia
Premtimet e Fatmir Deharit:
E-Kërçova: portal/aplikacion i vetëm për të gjitha shërbimet (taksa, leje, ankesa, raportime defektesh). 30 zona Wi-Fi publike (shkolla, parqe, qendër). Panele elektronikë në stacionet kryesore; tabela dinamike trafiku. Sistem kamerash për siguri në hapësira publike, me rregulla të rrepta të privatësisë dhe mbikëqyrje të pavarur.
Premtimet e Fatmir Limanit:
Platformë digjitale: Raportim problemesh, pyetje dhe sugjerime nga qytetarët, me përgjigje të zyrtarëve. Mbledhjet e këshillit do të transmetohen drejtpërdrejt. Zbatimi i praktikës – takimi të rregullt me qytetarët në javën e fundit të muajit në sallën e këshillit. Buxhet qytetar: Qytetarët identifikojnë dhe prioretizojnë problemet, duke kontribuar në pjesën e buxhetit për projektet e propozuara. Sportel i vetëm: Qendra unike për të gjitha shërbimet administrative komunale. Rigjallërim i bashkësive lokale: Përfaqësim gjithëpërfshirës dhe demokratik, duke përfshirë të rinjtë, të dy gjinitë dhe komunitetet etnike. Komision për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve etnike: Siguron dialog dhe legjitimitet në përfaqësimin e interesave dhe zgjidhjen e problemeve të komuniteteve.
Arsimi
Premtimet e Fatmir Deharit:
Riparimi dhe ruajtja e historikut të shkollave. Rikonstruktimi i shkollave të mesme. Rikonstruktimi i sallave shkollore. Sallë sporti në shkollën e qytetit në lagjen Pashinë. Sallë sporti në Shkollën fillore “ Kuzman Josifoski-Pitu”. Terrenet sportive në SHF “Sande Shterjoski”. Furnizimi me pajisje të reja në kabinetet shkollore. Mësimi inkluziv dhe hapja e qendrave autike dhe logopedike. Qendra ditore në çdo shkollë fillore në Kërçovë. Rritja financiare për mbështetje të studentëve. Shpërblim për nxënësit shembullorë. Shpërblim për sportistët më të mirë. Ndarja e 60 bursave për studentë, në çdo vit akademik.
Premtimet e Fatmir Limanit:
Rinovim i shkollave dhe kopshteve me standarde moderne e mjete digjitale. Edukim tërditor me drekë dhe aktivitete jashtëmësimore. Forcim i arsimit profesional dhe dual për lidhje me tregun e punës (bashkëpunim me bizneset vendore për punë praktike). Themelim i shkollës së muzikës. Ruajtje dhe promovim i trashëgimisë kulturore, organizim festivalësh dhe manifestimesh. Përfundim i pishinës së mbyllur, stadiumit të futbollit në Pashinë e poshtme dhe rikonstruksion i sallave sportive.
Probleme tjera
Premtime tjera nga Dehari që kanë të bëjnë me ekonominë, mbrojtjen sociale, shëndetësinë, barazinë sociale e gjinore
Krijimi i zonave të reja industriale. Krijimi i kushteve për investitorë nga mërgata dhe investitorë vendas. Rritja e mjeteve për rikonstruksion. Subvencionim për punësime të reja. Ndarja e granteve për të rinj-vetëpunësim, me vlerë 5.000 €. Stimulimin e bashkëqytetarëve tanë që përvojën dhe kapitalin e tyre ta investojnë në vendlindje. Zgjerimin e Zyrës për bashkëpunim dhe komunikim të drejtpërdrejt me bashkëqytetarët tanë që ndodhen jashtë vendit. Zhvillimi rural (Mbështetje për Bujqit me këshillime moderne dhe afrim për të thithur fonde nga Bashkimin Evropian).
Ndërtimi i ndërtesave sociale. Mbështetje financiare dhe angazhim në punë publike për anëtarët e familjeve me status social. Rritja e kapacitetit të Kuzhinës popullore. Zgjerimi i kapaciteteve në çerdhet e qytetit. Hapja e çerdheve të reja në viset rurale. Zgjerimi i programeve edukative për fëmijët e komunitetit turk në çerdhe. Integrimi i fëmijëve të komunitetit rom në çerdhe. Investime për uljen e grimcave ndotëse dhe ruajtjen e shëndetit publik. Donacione pa rezervë për spitalin e qytetit.
Higjeina publike (rrugëve, lumenjëve dhe hapësirave publike). Parandalimi i përhapjes së sëmundjeve ngjitëse (dezinfektim, deratizim dhe dezinsektim), mjete që financohen nga Buxheti bazë i Komunës. Ndarje të mjeteve financiare për mbështetje të infrastrukturës shëndetësore ndihmëse (Mjete që financohen dhe ndahen nga Buxheti Komunal vjetor, nëpërmjet programeve të përcaktuara, vlera 50.000 €). Parandalim dhe edukim shëndetësor, fushata sensibilizuese në bashkëpunim me Shtëpinë e Shëndetit, spitalet shtetërore dhe ato private për çdo vit.
Përfaqësimi i barabartë (rritja e përfaqësimit të grave në Këshillin Komunal dhe pozita vendimmarrëse). Mbështetje financiare për shoqatat që punojnë për të drejtat e tyre. Mbështetje për gratë dhe vajzat, trajnime falas për aftësim profesional të tyre. Nxitje të grave për të hapur biznes përmes granteve komunale dhe partneriteteve me donatorë. Fushata kundër dhunës në familje dhe krijimi i një këndi ndihmës/linjë kontakti me autoritetet institucionale në Komunë
Premtime tjera nga Limani që kanë të bëjnë me rininë, shëndetësinë, mirëqenien sociale, shëndetësinë, mërgatën dhe sigurinë publike
Fond komunal për rininë (1% e buxhetit), për projekte, start-up, organizata rinore. Grante për të rinjtë deri në 5,000 euro për nisma sipërmarrëse. Qendra rinore dhe qendra multifunksionale, për aktivitete kulturore, arsimore dhe sociale. Rikonceptim i Universitetit të Punëtorëve në Qendër për aftësi praktike dhe inovacion. Strategji Lokale Rinore dhe Këshill Rinor Lokal, për përfshirje direkte të rinisë në politikëbërje.
Spital i ri modern dhe shërbime shëndetësore mobile nëpër fshatrat. Çerdhe për fëmijë në vendbanime rurale (Zajaz, Osllome). Shtëpi për të moshuar, qendër për viktimat e dhunës familjare dhe për personat me nevoja të veçanta. Ndërtesa sociale për 20 familje pa strehë. Mbështetje financiare prej 15,000 denarësh, për çdo fëmijë të porsalindur.
Trajtim institucional i mërgatës si partner strategjik. Themelim i njësisë për diasporë dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Trupë e përbashkët koordinuese ndërmjet Komunës së Kërçovës dhe përfaqësuesëve të mërgatës. Strategji 5-vjeçare për veprim të përbashkët Komunë- Mërgatë. Forum ekonomik vjetor me mërgatën dhe lehtësira fiskale për investimet. Fond të përbashkët zhvillimor me kapital edhe nga diaspora, i menaxhuar nga një trupë tripartite, komunë, mërgatë, sektor i biznesit. Platforma online dhe kurikula për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
Njësi të reja satelite zjarrfikëse në Zajaz, Osllome, Dërgovë dhe Vraneshticë. Masa të reja për uljen e kriminalitetit, aksidenteve dhe dukurive negative. Bashkëpunim aktiv me komunitetin për rritjen e sigurisë. Investim në ndriçim publik, monitorim dhe preventivë sociale.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.