Çfarë parashikon reforma e shërbimeve sekrete në Gjermani?

Prej kohësh ato kërkonin më shumë liri veprimi dhe tani ia kanë arritur qëllimit: Pas reformës së miratuar të premten (13.11.2026) nga Bundestagu gjerman, Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND) dhe Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) po shndërrohen në shërbime sekrete me kompetenca aktive, raporton Dojçe Vele (DW). Çfarë do të thotë konkretisht kjo?

“Licencë për sabotim”

Për shembull, BND-ja, përgjegjëse për veprimtarinë jashtë vendit, tani mund t’i luftojë në mënyrë aktive sulmet kibernetike të fuqive të huaja, duke sulmuar në rrugë digjitale sistemet teknike dhe duke i nxjerrë ato jashtë funksionit. Në rast nevoje, lejohet edhe shkatërrimi i armëve të kundërshtarit, nëse prej tyre mund të vijë një rrezik për Gjermaninë.Gazeta “Süddeutsche Zeitung” i cilëson këto dhe zgjerime të tjera kompetencash si një “licencë për sabotim”.

Edhe shërbimi i brendshëm i inteligjencës, pra Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, ka tashmë më shumë kompetenca. Ndër të tjera, në situata të veçanta rreziku ai mund të hyjë në banesat e personave të dyshuar pa një urdhër kontrolli nga gjykata ose të ndërhyjë në kompjuterët dhe telefonat e tyre inteligjentë.

AfD dhe E Majta e kundërshtojnë reformën, Të Gjelbrit abstenojnë

Ministri Federal i Brendshëm Alexander Dobrindt (CSU), duke iu referuar ndryshimeve të shumta ligjore, flet për një “reformë të shekullit”. Ai e justifikon atë me kërcënimin e shtuar nga Rusia dhe shtete të tjera, si edhe nga ekstremizmi politik dhe fetar. Sipas tij, Gjermania është objektiv i kërcënimeve hibride. “Ato synojnë destabilizimin e popullsisë sonë, të demokracisë sonë dhe të vendit tonë në tërësi.”

Ndërsa Të Gjelbrit, si i vetmi grup parlamentar opozitar, abstenuan, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe E Majta votuan kundër. Të dyja partitë e akuzojnë qeverinë federale të përbërë nga konservatorët (CDU/CSU) dhe socialdemokratët (SPD) se po shkon shumë përtej asaj që është e nevojshme. Sipas tyre, reforma shkel në veçanti të ashtuquajturin parim të ndarjes mes shërbimeve sekrete dhe policisë.

Ministri i Brendshëm Dobrindt: “Ata duan të na lidhin duart”

Në praktikë, kjo deri tani nënkuptonte se BND-ja dhe Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës merreshin kryesisht me mbledhjen e informacioneve për parandalimin e rreziqeve, ndërsa Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe autoritetet policore në 16 landet federale kujdeseshin për ndjekjen penale. Kjo ndarje detyrash ka arsye historike dhe është një nga mësimet e nxjerra nga përvoja e periudhës së nazizmit.

Në atë kohë, Policia Sekrete e Shtetit (Gestapo) ishte një instrument qendror terrori për shtypjen dhe vrasjen e njerëzve për motive politike, fetare dhe raciste. Për këtë arsye, fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore vendosën që policia dhe shërbimet sekrete të ndaheshin nga ana organizative dhe të kishin detyra të ndryshme.

Nëse kjo ndarje e rreptë tani është hequr faktikisht, për këtë ka mendime të ndryshme. Dobrindt akuzon AfD-në dhe Të Majtën se duan t’i dobësojnë apo madje t’i shpërbëjnë BND-në dhe Zyrën për Mbrojtjen e Kushtetutës: “Ata duan të na lidhin duart. Ky nuk mund të jetë mësimi që kemi nxjerrë nga historia, nëse kapitullojmë përballë armiqve të demokracisë. Ne duhet ta mbrojmë demokracinë nga këta njerëz.”

Por kritika ndaj reformës vjen edhe nga jashtë parlamentit.

“Policia nuk hyn diku dhe nuk shkatërron gjëra”

Eksperti i së drejtës kushtetuese Matthias Bäcker nga Universiteti i Mainzit paralajmëroi me theks të fortë gjatë një seance dëgjimore në Bundestag në tetor kundër dhënies së kompetencave operative shërbimeve sekrete.

Konkretisht, ai përmendi kompetencën e sapomiratuar, sipas së cilës Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, në rast nevoje, mund të hyjë me forcë në banesa. Në këtë mënyrë, sipas tij, ajo merr kompetenca që nuk do t’ia jepnin kurrë policisë: “Policia nuk hyn diku dhe nuk shkatërron gjëra”, e ilustroi Bäcker kritikën e tij me fjalë të forta..

Reporterët pa Kufij paralajmërojnë padi kushtetuese

E shqetësuar është edhe organizata për të drejtat e njeriut “Reporterët pa Kufij”, e cila angazhohet në mbarë botën për lirinë e shtypit. Drejtori ekzekutiv Christian Mihr kërkon mbi të gjitha një mbrojtje më të mirë për personat që kanë detyrim ligjor për ruajtjen e sekretit profesional, ku bëjnë pjesë edhe gazetaret dhe gazetarët.

Mediat varen nga informacionet konfidenciale për të mundur të zbulojnë abuzime dhe parregullsi. Vetëm në këtë mënyrë ato mund ta përmbushin funksionin e tyre kontrollues, të garantuar nga Kushtetuta gjermane.

Sipas Mihr, ky funksion kontrollues mund të rrezikohet tani që shërbimeve sekrete u lejohet analiza e automatizuar e të dhënave. Për këtë mund të përdoret edhe Inteligjenca Artificiale (IA).

Megjithatë, BND-ja mund të përgjojë në mënyrë të fshehtë komunikimin mes mediave dhe bashkëbiseduesve të tyre vetëm nëse merr miratimin e “Këshillit të Pavarur të Kontrollit” (UKR). Kjo dispozitë bazohet në një propozim të Reporterëve pa Kufij.

Por për Zyrën për Mbrojtjen e Kushtetutës një rregull i tillë nuk vlen. “Bundestagu duhet ta mbyllë këtë boshllëk”, kërkon Mihr dhe paralajmëron se, nëse do të jetë e nevojshme, organizata do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese Federale.

Shërbimet sekrete gjermane në një nivel me CIA-n dhe Mossadin?

Në të ardhmen, në “Këshillin e Pavarur të Kontrollit” do të bëjnë pjesë gjyqtarë federalë, prokurorë, nëpunës të ministrive dhe deputetë të Bundestagut. Në këtë mënyrë synohet të garantohet që masat e mbikëqyrjes, të cilat ndërhyjnë thellë në privatësinë e individëve, të vlerësohen paraprakisht nga këndvështrime të ndryshme. Ligji flet për procedura “të ngjashme me ato gjyqësore”.

Përveç kësaj, edhe Komisioni Parlamentar i Kontrollit (PKGr) do të mbikëqyrë punën e shërbimeve sekrete. Kryetari i tij, Marc Henrichmann (CDU), e mirëpret reformën ligjore dhe kompetencat e reja për BND-në dhe Zyrën për Mbrojtjen e Kushtetutës. Sipas tij, të dyja tani janë në një nivel me shërbimet partnere, si Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) në SHBA apo Mossadi në Izrael.

Politikani kristiandemokrat është i bindur se Gjermania tani mund t’u ofrojë vendeve mike më shumë mbështetje se më parë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit kibernetik.

“Nëse nuk kam asgjë për të ofruar, partnerët në një moment do të thonë: ‘Pa ty jemi shumë më të shpejtë’”, thotë Henrichmann në një intervistë për DW. “Kjo ishte arsyeja pse ne gjermanët thamë: ‘Duhet të ecim me kohën dhe të jemi përpara zhvillimeve, aty ku të tjerët kanë kohë që kanë avancuar disi.’”

Burimi:

Agjent i shërbimit sekretGjermania